Presidenti Ilir Meta i kthen mazhorancës për rishqyrtim në Kuvend ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në dekretin e publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, Kreu i Shtetit argumenton se 4 nene të këtij ligji bien ndesh me nene të Kushtetutës dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.
Ky ligj është miratuar në seancën plenare të 12 shkurtit, ndërsa në arsyetimin e Presidentit për kthimin e tij në Kuvend thuhet se dispozitat e miratuara në mungesë konsultimi gjithëpërfshirës shkelin: Parimin e sigurisë juridike; Parimin e pavarësisë dhe paanësisë së gjyqësorit; Parimin e hierarkisë së normave kushtetuese dhe rezervën kushtetuese; Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.
“Gjithashtu, në tërësi ky ligj, karakterizohet nga një teknikë e dobët legjislative, që i bën dispozitat konfuze dhe të paqarta. Ky element, ndërthurur me antikushtetutshmërinë e parashikimeve, cenon akoma më rëndë parimin e sigurisë juridike”, thuhet në arsyetim ndër të tjera.