Kancelarja Merkel, Presidenti francez Macron dhe kryeministri britanik Johnson kanë zhvilluar një videokonferencë me Presidentin turk Erdogan. Temat: Refugjatët dhe virusi Corona.
Pas takimit javën e kaluar në Bruksel me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Charles Michel, Presidenti i Turqisë Erdogan iku pa asnjë koment. Këtë të martë ishte planifikuar që një delegacion i BE të shkojë në Stamboll, për takim me Recep Tayyip Erdoganin, por u anulua për shkak të pandemisë me Corona.
Takimet në kohën e kësaj krize janë të pamundura, ndaj kancelarja Angela Merkel, Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Boris Johnson, vendosën që të zhvillojnë një videokonferencë me presidentin turk. Erdogani pas bisedës nuk foli asgjë për përmbajtjen, ndonëse ishte i pari që doli në opinion. Në rrjetet sociale ai tha, se është biseduar për gjendjen humanitare dhe gjendjen në Idlib të Sirisë.
Merkel: Një bisedë e “dobishme”
Angela Merkel e quajti këtë bisedë si të dobishme. Ajo nuk përjashtoi shtimin e ndihmave humanitare për Turqinë. Nuk duhet harruar as unioni doganor me Turqinë, tha ajo. Turqia ka theksuar se ajo do të mbetet pjesë e NATO-s.
Fjalë bukur të buta në një kohë krize në raportet me Turqinë, në kohën kur Ankaraja ka vendosur të hapë kufijtë ndaj BE dhe të lejojë kalimin e refugjatëve. Më pas gjendja u tensionua shumë në kufijtë me vendet e BE – konflikte, gaz lotsjellës, dhunë… Greqia ka vendosur të pezullojë të drejtën e azilit për një muaj.
BE dhe organizatat humanitare e kanë kritikuar Turqinë për përdorimin e refugjatëve si mjet politik për presion ndaj BE. Turqia ka kërkuar më shumë para dhe ndihma. BE kishte premtuar më parë gjashtë miliardë euro për refugjatët, por deri tani ka paguar vetëm 3,2 miliardë.
Marrëveshja BE-Turqi duhet të vazhdojë?
Përfaqësuesi i BE për Politikë të Jashtme Josep Borrell tha në Bruksel se me ministrin e Jashtëm turk Mevlüt Cavusoglu, kanë rënë dakord që marrëveshja për refugjatët të vazhdojë dhe që me 26 mars, në samitin e BE të paraqiten propozime për dalje nga kriza. Ata të dy janë takuar njëkohësisht.
Ekspertët thonë, se ka ardhur koha që të rishikohet marrëveshja BE-Turqi. Turqia është duke dërguar njerëz në zonat e rrezikshme, thonë ekspertët. Ndërsa gjendja në Idlib është tepër e rëndë. Ken Roth, drejtues i Human Rights Watch, thotë se Erdogani po bën presion ndaj BE për shkak të gjendjes në Idlib. “Turqia nuk mund të pranojë edhe disa miliona njerëz, sepse në këtë vend janë edhe tani rreth 3,6 milionë refugjatë nga Siria”, thotë Roth në bisedë me DW.
Putini “problemi kryesor”
Në Idlib ballë për ballë janë trupat qeveritare të Asadit të mbështetura nga Rusia dhe kryengritësit e mbështetur nga Turqia. Rruga e vetme për të evituar krizën e re me refugjatë në Evropë është bindja e Putinit që të ndërpritet bombardimi i civilëve në Idlib, thotë Roth. Sipas tij, problemi kryesor në këtë mes është Putini.
Palët kanë rënë dakord para pak kohësh për armëpushim, të cilin e kanë mbështetur edhe Merkel, Johnson dhe Macron. Ata thonë, se bashkëveprimi është mundësia e vetme për tejkalimin e krizës, në kohën e virusit Corona. Ka gjëra, sipas tyre, mbi të cilat të gjithë duhet të kenë të njëjtin mendim./DW