Në Spanjë po përsëritet skenari i Italisë. 24 orët e fundit kanë humbur jetën 950 persona të sëmurë me COVID-19.
Por sot është dita e tretë më e dhimbshme, pasi viktimat u rritën ndjeshëm, duke e kaluar numrin total të viktimave mbi 10 mijë.
“Shifra totale e rasteve të konfirmuara me koronavirus është 110,238 të prekur. Pjesa më e madhe e rasteve janë në Madrid dhe Barcelonë. Kemi regjistruar po ashtu rritjen e numrit të përgjithshëm të viktimave, 10,003 persona të vdekur, 950 më shumë në 24 orë e fundit, njëherësh dhe shifra më e lartë që kemi regjistruar deri më sot”, deklaroi Maria Jose Sierra, drejtoresha e emergjencave.
Zyrtarët në Spanjë shprehen se virusi është në pikën kulmore, megjithëse presioni ndaj spitaleve do të mbetet i lartë edhe në ditët në vijim.
Madridi mbetet rajoni me goditjen më të fortë, me numrin më të lartë të vdekjeve. Përveç kolapsit në spitale, Spanja po përballet me një krizë tjetër në ekonomi, pasi numri i të papunëve i ka kaluar 3.5 milionë.
Ministrja e Punës Yolanda Diaz tha se 2.3 milionë njerëz aktualisht marrin ndihmën e papunësisë, duke i kushtuar buxhetit rreth 1.22 miliardë euro në muaj.
Ndërkohë në Itali më shumë se 13 mijë njerëz kanë humbur betejën me sëmundjen dhe 110 mijë të tjerë janë të prekur. Në këto kushte Kryeministri italian Giuseppe Conte nënshkroi dekretin për shtrirjen e masave kufizuese deri më 13 prill.
“Nëse spekulojmë tani mbi kufizimet, të gjitha përpjekjet tona do të ishin të kota. Ne do të hyjmë në fazën e 2-të vetëm kur ekspertët të thonë kështu, dhe vetëm duke filluar nga disa sektorë. Faza e dytë do të na sigurojë një dalje në mënyrë graduale nga masat shtrënguese për të kaluar më pas në frazën 3 që është dalja përfundimisht nga situata e rëndë dhe rindërtimi i vendit”, tha Giuseppe Conte.
Ndërkohë Presidentja e Komisionit Europian, Von Der Leyen, i ka kërkuar falje Italisë në lidhje me situatën dramatike që vendi po kalon në këto momente. Komisioni Evropian njoftoi një nismë të re ekonomike: një fond prej 100 miliardë euro për vendet më të goditura, duke filluar nga Italia me qëllim kompensimin e pasojave ekonomike.
Situatë shqetësuese edhe në Gjermani, ku qeveria dhe landet federale kanë rënë dakord për zgjatjen e kufizimeve ekzistuese të distancimit social deri më 19 prill.
Në Gjermani 944 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi dhe më shumë se 78 mijë të tjerë janë infektuar.