Gjermania ka nisur zbatimin e masave kufizuese për koronavirusin prej mëse dy javësh. megjithatë, siç edhe pritej nga autoritetet shëndetësore, numri i të prekurve është në rritje.
Krahas kufizimit të daljes, përdorimit të maskave dhe dorezave, në Gjermani respektohet në mënyrë rigoroze një këshillë e autoriteteve të shëndetit publik: distanca nga njëri-tjetri.
Në një lidhje Skype me studion tonë të lajmeve, Denisa Vrapi, laborante në Gjermani, shprehet se mbajtja e distancës mes njerëzve ka më shumë rëndësi se mbajtja e maskës.
“I zbatojnë në mënyrë shumë rigoroze, sidomos distancën. Është një faktor kryesor që përmendet më shumë se mbajtja e maskës kur ecim në rrugë. Distanca mbahet si në dyqane, tregje dhe qendra tregtare”, tha ajo.
Gjermania është një hap para shumë vendeve të Europës edhe sa i përket testimit. Vrapi, e cila kryen vetë në laborator analizat e pacientëve me koronavirus, tha se autoritetet atje po testojnë edhe qytetarët që shfaqin thjesht simptoma gripi, një mënyrë kjo për të parandaluar përhapjen e virusit, por edhe për të marrë të dhëna të lidhje me imunitetin që krijohet në popullatë.
“Testimet sa vijnë e rriten. Tani gjermanët po mendojnë të bëjnë testime edhe te ata që kanë shenja të një gripi normal. Për të parë se sa ka filluar të krijohet imunitet ndaj këtij virusi”, tha ajo.