Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar zyrtarisht se ka ndërruar jetë një pacient i shtruar në spital i prekur nga koronavirusi. Viktima është një 90-vjeçar i cili vuante dhe nga sëmundje të tjera shoqëruese, të tilla si diabeti, astma bronkiale dhe hipertensioni.
Deri tani numri i pacientëve që kanë humbur jetën në vend ka shkuar në 25 persona.
Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë shënuar 19 raste të reja me koronavirusin COVID-19, duke e çuar në 494 numrin e përgjithshëm të personave të infektuar.
Dje u testuan 252 persona të dyshuar, në mesin e të cilëve 44 personel shëndetësor.
“Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 19 raste pozitive me COVID-19, prej të cilëve 11 raste në Tiranë, 1 rast në Krujë, 1 rast në Korçë, 1 rast në Elbasan, 5 raste në Kukës mes tyre 1 personel shëndetësor. Deri në këto momente janë testuar 4558 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 494 raste. Edhe pse sot janë 19 raste të reja, pavarësisht luhatjeve ditore, kurba mbetet e qëndrueshme dhe situata është krejtësisht e kontrolluar”, deklaroi zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.
Gjatë 24 orëve të fundit, 3 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 251. Së shërbimin infektiv aktualisht janë 39 të shtruar, nga të cilët 5 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar, nga të cilët 7 janë në terapi intensive, ndërsa 4 prej tyre janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 48 pacientë.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Në këto momente kërkohet përgjegjshmëri nga ana e qytetarëve për të respektuar distancën e nevojshme mes njëri tjetrit dhe ruajtjen e higjienës personale. Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19”, apeloi zv/ministrja Mira Rakacolli.