“Greqia nuk është më delja e zezë e Evropës; ajo ka treguar disiplinë dhe vendosmëri në trajtimin e koronavirusit,” tha në një intervistë të publikuar të shtunën kryeministri Qiriakos Micotaqis.
Ai tha se është i sigurt që vendimi i tij për të imponuar kufizime qysh herët ishte i drejtë, pavarësisht ndikimit në ekonominë e vendit, i cili vetëm dy vjet më parë doli nga masat shtrënguese që shoqëruan paketat ndërkombëtare të shpëtimit.
Kryeministri Micotaqis i tha gazetës Kathimerini se pret që plagët financiare të Greqisë të shërohen në vitin 2021.
Greqia, me një popullsi prej rreth 10 milion, ka regjistruar një numër të ulët rastesh me koronavirus në krahasim me vendet e tjera evropiane.
Deri tani ajo ka raportuar 2,224 infeksione, që nga shfaqja e rastit të parë me COVID-19 në fund të shkurtit.
Por kufizimet, të cilat po respektohen gjerësisht, do të godasin ekonominë e saj të brishtë, e cila është ende duke e marrë veten pas një krize borxhi që vazhdoi prej gati një dekade dhe gjatë së cilës vendit iu desh të zhvillonte beteja të njëpasnjëshme me anëtarët e tjerë të Bashkimit Evropian apo me huadhënësit ndërkombëtarë.
“Ajo që më ngushëllon, sidoqoftë, është se ne nuk jemi më një rast i veçantë. Nuk jemi delja e zezë. Dhe kjo, besoj, është me shumë rëndësi për psikologjinë tonë kolektive”, tha Micotaqis.
Ai vlerëson se recesioni i thellë këtë vit do të pasohet nga një rritje e fortë në vitin 2021.
Javën e kaluar, Greqia siguroi 2 miliardë euro nga shitja e obligacioneve shtatëvjeçare.
“Fakti që e kemi trajtuar këtë pandemi dhe ndikimin e saj në mënyrë kolektive, me një disiplinë që shumë njerëz nuk e prisnin, tregon se jemi të vendosur”, tha Micotaqis.
“Ne jemi pjekur dhe po rindërtojmë diçka që nuk e kemi patur, jo vetëm në vitet e krizës, por në përgjithësi në historinë e re të vendit dhe ky është besimi tek institucionet dhe tek shteti”, tha kryeministri grek.
Për të qëndruar në këmbë, Greqia nënshkroi tre paketa ndërkombëtare të shpëtimit financiar mes viteve 2010-2015, kur vendi ishte në prag të daljes nga eurozona.
Që atëherë, ekonomia e saj ka dalë gradualisht nga gjendja e krizës./Reuters