Pak orë pas dorëheqjes së Zhuljen Varfaj nga zëvendëskryetari i bashkisë së Durrësit, këshilli bashkiak ka zgjedhur pa humbur kohë pasuesin e tij. Lajmi konfirmohet nga bashkia e Durrësit, e cila përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” thekson se në këtë post është emëruar Emiriana Sako.
“Këshilli bashkiak i Durrësit ka zhvilluar një mbledhje emergjence me mjetet e komunikimit elektronik ku ka marrë disa vendime të rëndësishme. Fillimisht ky këshill ka miratuar caktimin e një prej zv/kryetarëve të Bashkisë së Durrësit, e pikërisht të znj. Emiriana Sako, për kryerjen e funksioneve të kryetarit të kësaj bashkie për shkak të dorëheqjes nga funksionet të z. Zhuljen Varfaj. Emiriana Sako u propozua nga dy grupet e këshillit bashkiak dhe u miratua me unanimitet. Tashmë Sako është kryetare e Bashkisë së Durrësit”, njofton bashkia.
Varfaj e njoftoi dorëheqjen e tij edhe në rrjetin social “Facebook”. Ai shprehet se i ndodhur në një situatë të pafavorshme për shëndetin e tij, ka zgjedhur të japë dorëheqjen e parevokueshme nga detyrat dhe funksionet që i janë ngarkuar.
“Sot me dt 23.04.2020, unë Zhuljen Ago Varfaj, me detyrë Zëvendës Kryetar i Bashkisë Durrës dhe që prej datës 1 dhjetor 2019, i komanduar me vendim të Këshillit Bashkiak Durrës, për të ushtruar detyrat si dhe funksionet e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, i gjendur para një situate krejtësisht të pafavorshme, madje me rrezik të shtuar për shëndetin tim, parashtroj dhe jap dorëheqjen time të parevokueshme nga detyra dhe funksionet e ngarkuara.”, shkroi ai.