Belgjika u ka bërë thirrje qytetarëve të konsumojnë patate të skuqura franceze dy herë në javë, jo për të ndryshuar dietën ushqimore, por për të korrigjuar një humbje të mundshme ekonomike në një prej sektorëve më të rëndësishëm të vendit.
Si të gjitha shtetet e tjera europiane, Belgjika po vuan nga pandemia e koronavirusit dhe masat e marra janë të ngjashme me ato të Italisë, ndërsa pasojat ekonomike kanë filluar të ndjehen.
“Një humbje e paparë në historinë e një vendi që patatet e skuqura i ka kthyer në simbolin e ushqimit në rrugë”, shkruajnë mediat.
Belgjika, në lidhje me këtë krizë, ka ndërmarrë një fushatë të veçantë patriotike, duke i ftuar qytetarët të konsumojnë sa më shumë me qëllim për të kufizuar humbjen ekonomike në këtë sektor.
“Belgë, bëhuni atdhetarë, hani patate franceze të paktën dy herë në javë!”.
Belgjika është vendi i parë në botë për prodhimin e patateve të ngrira franceze.
Me mbylljen e të gjitha dyqaneve të ushqimit të shpejtë, restoranteve dhe me ngadalësimin e eksporteve, magazinat janë të mbushura plot, duke grumbulluar mbi 750 milionë patate që rrezikojnë të prishen përpara se ato të shiten.
Presidenti i shoqatës së fermerëve të patates Belgapom, Romain Cools u bëri thirrje qytetarëve të konsumojnë dy herë në javë patate me qëllimin për t’a shpëtuar këtë sektor nga kriza që e ka mbërthyer për shkak të pandemisë.
Ndërkaq, nga 750 mijë ton patate që ishte grumbulluar në magazinat e vendit, 90% e sasisë ishte destinuar për eksport.
Mësohet se as lehtësimi i masave me 11 maj, nuk do të arrijë dot të nxisë konsumimin e patateve franceze.
Shoqata tregtare ka menduar që një pjesë të prodhimit të saj t’a çojë tek supermarketet ushqimore, të cilat si në vendet e tjera, kanë marrë një rritje të kërkesave për mbështetje nga njerëzit në vështirësi ekonomike, ndërsa një pjesë tjetër t’a përpunojë për ushqim për kafshët.
Belgjika është një nga prodhuesit kryesorë në botë, ajo eksporton 80% të prodhimit të saj në formën e patateve të ngrira franceze.