Australia është i pari vend në botë që planifikon heqjen e plotë të masave bllokuese për frenimin e përhapjes së Covid-19. Plani është prezantuar nga kryeministri Skot Morrison dhe pritet të nisë zbatimin nga kjo fundjavë.
Parashikohet të zbatohet në tre faza, ku në të parën spikat lejimi i deri pesë të ftuarve në shtëpi dhe grumbullimi i 10 njerëzve në ambiente të jashtme. Në këtë fazë parashikohet të rihapen restorantet, kafenetë, dyqanet e shkollat e ciklit të ulët, ndërsa pritet të lejohet udhëtimi brenda vendit.
Kinematë, palestrat, sallonet e bukurisë, etj, pritet të rihapen në fazën e dytë, teksa grumbullimet do të lejohen deri në 20 persona. Në këtë fazë pritet të lejohen edhe ceremonitë martesore, apo grumbullimet nëpër kisha. Heqja e të gjitha masave bllokuese pritet të ndodhë vetëm në fazën e tretë, ku grumbullimet do të jenë si në periudhën para përhapjes së Covid-19.
Teksa prezantoi publikisht planin e tij, Morrison tha se jo gjithçka mund të shkojë sipas planit. Rreziku i rikthimit të pandemisë është i lartë ndaj dhe masat bllokuese mund të rikthehen. E rëndësishme, sipas tij, është që rregullat të zbatohen në mënyrë strikte nga të gjithë. Australia, me një popullsi prej rreth 25 milionë banorësh ka një numër të ulët rastesh prej rreth 7 mijë të prekurish dhe 97 viktimash. 87% e të prekurve deri më tani janë shëruar.