Dejan Kulusevski mban numrin 44 në fanellë, me Parmën. Gjatë këtij sezoni të gjithë kemi pyetur veten pse kjo zgjedhje, pasi është një numër i veçantë, i cili nuk përfaqëson datën e tij të lindjes.
Për mikrofonat e “Sky Sport”, suedezi shpjegoi pikërisht këtë zgjedhje kurioze: “Unë isha në Suedi dhe po shihja Manchester United në televizor. Aty fiksova debutimin e Adnan Januzaj. Ai hyri me një personalitet të jashtëzakonshëm, edhe pse dukej që ishte ndeshja e tij e parë profesionale. I thashë babait tim se doja të isha i tillë, doja të luaja në atë mënyrë. Unë u lidha me atë numër, lexova disa gjëra dhe u dashurova”.
Suedezi, që do të kalojë te Juventusi në fund të këtij sezoni, zbulon edhe një sekret tjetër, jo vetëm domethënien e numrit 44. Fjala është për zakonin e tij të çuditshëm në fushë: “I kam luajtur pothuajse të gjitha ndeshjet me çamçakëz në gojë, sepse ndjehesha më i qetë. Një ditë, fizioterapisti im më tha që nuk është mirë, kështu që nuk do ta bëj përsëri, pasi të rifillojë kampionati”.