Në vitet që pasuan vrasjen e Jul Cezarit në Romën e Lashtë, të dhënat historike flasin për një mot të ftohtë të pazakontë, mungesë ushqimesh, sëmundje dhe uri që shoqëruan një moment kyç në historinë e Perëndimit.
Studiuesit kanë dyshuar që ky ndryshim në kushtet atmosferike ka qenë i lidhur me shpërthimin e një vullkani, por nuk kanë mundur të zbulojnë kurrë vendndodhjen apo madhësinë e shpërthimit. Vullkane kandidatë kanë qenë deri tani në Nikaragua, Sicili apo në Kamçatka, Rusi.
Por pas analizimit të hirit të ngrirë në blloqe akulli dhe të dhënave të tjera, një grup ndërkombëtar shkencëtarësh dhe historianësh mendojnë se shpërthimi i vullkanit Okmok në Alaskë më shumë se 2000 vite më parë ka qenë përgjegjës për këtë. Shpërthimi masiv krijoi një krater me diametër 10 kilometra që është i dukshëm edhe sot.
“Është tepër tërheqës fakti që kemi gjetur dëshmi që një vullkan në pjesën tjetër të botës të ketë ndikuar në rënien e qytetërimit romak dhe egjiptian dhe krijimin e Perandorisë Romake”, tha Joe McConnell, autor i studimit dhe profesor i hidrologjisë në Institutin “Desert Research” në Reno, Nevada.
Vrasja e Cezarit dhe lufta për pushtet që pasoi i dha jetë Perandorisë Romake, ndërkohë që Egjipti i Lashtë ra përfundimisht nën sundimin e Romës. Studimi thotë se kjo ndodhi edhe për shkak të mungesës së të korrave, urisë dhe sëmundjeve që erdhën si pasojë e shpërthimit të vullkanit.