Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj morën pjesë në përurimin e impiantit të ri të përpunimit të ujit në Bovillë.
Gjatë fjalës së tij, Veliaj bëri me dije se nga ky impiant i ri, 62% e territorit të Tiranës do të ketë ujë 24 orë në ditë.
Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës do të nisë një aksion të gjerë për heqjen e depozitave nga tarracat e pallateve.
“Dua të njoftoj të gjithë administratorët e pallateve që do të fillojmë të qërojmë pallat më pallat për t’u siguruar që fillon heqja e depozitave për dy arsye. Së pari sepse kemi ujë 24 orë në këtë pjesë të madhe të Tiranës dhe arsyeja tjetër sepse pas tërmetit mësuam që gjithë këto pesha që i mbingarkohen pallateve tashmë të amortizuara nga koha apo improvizimet që kanë pasur ndër vite, meritojnë të lehtësohen. Dhe sot kemi kaluar disa vendime të rëndësishme për pallatet e Kombinatit dhe besoj se edhe për ata që prej tërmetit kanë pasur merak depozitat, ardhja e Tiranës në një pjesë të madh të saj me 24 orë ujë është një lehtësim dhe për depozitat e tarracave në Tiranë. Ne do të fillojmë një punë me të gjithë administratorët e pallateve që pasi t’ju provojmë që në rubinetet ka ujë 24 orë ose të paktën në hyrje të pallatit ne të adresojmë çështjen e depozitave apo dhe çështjen e pompave”, deklaroi Veliaj.