Prof. Ksenofon Krisafi
Pas qershorit 1999 në Kosovë u arrit që të ndërmerreshin dhe të kryheshin një varg procesesh dhe veprimtarish të rëndësishme juridiko-institucionale, të cilat do të krijonin kushte të favorshme për hedhjen e hapave të mëtejshme për zhvillime më të shpejta dhe më të sigurta. Në këtë kuadër, në fundin e vitit 2005, Këshilli i Sigurimit miratoi vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm, Kofi Annan, për emërimin e ish presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaarit, si përfaqësues të posaçëm për statusin e ardhshëm të Kosovës. Ai do të ndiqte procedurat e realizimit të procesit të përcaktimit të statusit final, i cili udhëhiqej nga OKB-ja.
Ndërkohë në Vjenë kishin filluar bisedimet ndërmjet përfaqësuesve të shqiptarëve dhe të serbëve për statusin përfundimtar të Kosovës. Rezultati i pakënaqshëm i tyre e bindi Ahtissarin që t’i përcillte Këshillit të Sigurimit një raport, në të cilin shfaqte mendimin se Kosova duhet të bëhej e pavarur. Serbia u shpreh kundër Planit Ahtisaari dhe shpejtoi ta zhvleftësonte duke propozuar si alternativë maksimale “autonominë e mbikqyrur”. Por tashmë ishte vonë, ngjarjet kishin marrë zhvillime të pakthyeshme. Kosova e kishte mbyllur kreun e bashkëjetesës me Serbinë, të imponuar me dhunë shekullore. Ajo kishte nisur rugëtimin drejt pavarësisë, drejt ngritjes së shtetit të pavarur.
Kjo ishte bërë e qartë edhe për faktorin ndërkombëtar, prandaj më 2 shkurt 2007 Ahtisaari dorëzoi në Prishtinë dhe në Beograd propozimin për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, i njohur me emrin Pakoja e Ahtisaarit. Ajo përmbante një plan gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, në formën e pavarësisë së mbikëqyrur, me prani civile e ushtarake ndërkombëtare. Prishtina e pranoi, Beogradi jo. Procesi përfshinte edhe miratimin e koordinuar të pavarësisë nga ana e Uashingtonit, Brukselit dhe Prishtinës, sipas planit të Ahtisaarit. Pëlqimi i tyre u mor dhe Kosova shpalli pavarësinë.
Bashkimi Evropian, për t’i dalë përpara çdo të papriture që mund të vinte si reagim ekstrem i qarqeve radikale serbe, për të mbikëqyrur zbatimin e Pakos së Ahtisaarit dhe për të siguruar sundimin e ligjit në shtetin më të ri të familjes evropiane, miratoi krijimin e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe misionit europian për sundimin e ligjit – EULEX, i cili më 9 dhjetor 2008, zuri vendin e UNMIK.
Betejat e luftës çlirimtare në Kosovë të shtrira pothuajse në krejt territorin e saj, ndihma e çmuar e aleatëve të mëdhenj euro-atlantikë dhe e Shqipërisë si dhe ndikimi i faktorëve të tjerë të rëndësishëm, sollën fitoren e madhe, lirinë e Kosovës.
Pas afro nëntë vjetësh në liri ishin krijuar kushtet e duhura të brendshme dhe të jashtme që ajo të merrte mbështetjen e plotë ndërkombëtare për shpalljen e shtetit të saj të pavarur, të mbikëqyrur ndërkombëtarisht.
Diplomacia europiane, e cila, me vendimet e fillimit të shekullit të kaluar, i sakrifikoi shqiptarët në emër të paqes në kontinent, pas gati 100 vjetëve nisi “shlyerjen e borxhit të madh”, kur miratoi ndërhyrjen ushtarake në ish Jugosllavi dhe u angazhua seriozisht për zgjidhjen e drejtë të të ardhmes së tyre politike. Kontributi i saj dhe i ShBA për krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, shënojnë fillimin e korrigjimit të padrejtësisë.
Formimi i shtetit të dytë të shqiptarëve, si përmbushje e aspiratës dhe përpjekjeve të tyre shekullore, është një hap gjigand drejt zgjidhjes së çështjes shqiptare, edhe pse jo zgjidhja tërësore. Me këtë ngjarje, që ishte po aq madhore sa 28 nëntori i 1912, nisi ringjallja dhe ringritja e shqiptarëve, fatet e ardhme të të cilëve shpresohen të jenë të mbara. Këtë herë, ndryshe nga më parë, ata patën përkrahjen dhe mbështetjen e fuqishme të aleatëve të botës euroatlantike, të ShBA-së dhe të vendeve të BE-së, me të cilët kishin instaluar dhe zhvillonin një bashkëpunim të ngushtë e të dobishëm.
Çështja shqiptare në përgjithësi, përfshirë si komponente të fuqishme të saj, statusin dhe të ardhmen Kosovës, u shfaqën në ato kohë si pjesë integrale e strategjisë politike të SHBA-së. Shqiptarët ishin me shumë fat që interesat strategjike amerikane, përkuan me të drejtën historike dhe interesat e tyre kombëtare.
Të frymëzuar nga aspiratat për liri dhe pavarësi, për barazi dhe respekt reciprok, për integritet dhe sovranitet, shqiptarët janë afirmuar si faktor paqeje, ekuilibri dhe stabiliteti në rajon, si një popull i civilizuar që vepron në përputhje me parimet progresive dhe në respekt rigoroz të normave themelore të së drejtës së sotme ndërkombëtare, në interes të zhvillimit ekonomik e social dhe garantimit të të ardhmes së tyre politike.
Prej kohësh është shtruar pyetja, se cili ishte faktori kryesor për çlirimin e Kosovës? Mund të renditen disa, si fjala vjen UÇK-ja dhe përpjekjet me karakter politik të strukturave të tjera, siç ishin presidenti Rugova, qeveria në mërgim etj, të cilat kanë, pa dyshim, një meritë të pamohueshme, të pazëvendësueshme dhe të jashtëzakonshme.
Siç është theksuar edhe në faqet e mësipërme të këtij libri, në fitoren e luftës patën një meritë tepër të rëndësishme vendet anëtare të NATO-s dhe shtetet e tjerë që e mbështetën aleancën në luftën e tyre kundër regjimit të Beogradit, veçanërisht ShBA, Bashkimi Europian, Grup 7+1, OKB dhe organizmat e saj, organizatat e tjera ndërkombëtare universale e rajonale, shtetet dhe qeveritë, organizatat joqevritare që ju ndodhën në krah ose që, në forma e mënyra të ndryshme, kontribuan për çështjen e drejtë të popullit kosovar.
Në kurorëzimin e suksesshëm të ngjarjeve në Kosovë, kanë ndikuar fuqimisht përkrahja dhe mbrojtja e përhershme nga Shqipëria. Lidhjet e vazhdueshme ndërmjet tyre, në zgjerim të pandalshëm veçanërisht gjatë viteve ’70 – ’80, të shekullit të kaluar, në fushat arsimore, akademike, kërkimore – shkencore, kulturore e artistike, veçanërisht shkëmbimet e ansambleve artistike, trupave të teatrit, operas dhe baletit, ekipeve sportive, përfaqësuesve të shoqatave të ndryshme etj. i dhanë kurajo e siguri popullit në Kosovë.
Ato nxitën më tej ndenjën kombëtare dhe shpirtin e rezistencës. Në formulimin e kërkesave për pavarësi dhe liri dhe në përpjekjet për plotësimin e standardeve europiane për gëzimin e të drejatve dhe lirive të njeriut, kosovarët e ndjenin tashmë, më shumë se më parë, se kishin në krah edhe motrat e vëllezërit e tyre në Shqipëri.
Përmirësimi relativ i marrëdhënieve institucionale shtetërore Shqipëri-Jugosllavi ndikoi pa dyshim edhe në shtensionimin e atmosferës nga shumë ngarkesa të trashëguara nga periudha pas vitit 1948, kur në lidhjet midis dy vendeve u vërtetuan episode traumatike. Tashmë Kosova dhe Shqipëria vepronin në një kontekst të përgjithshëm më paqësor.
Në krijimin e kushteve që çuan drejt pavarësisë së Kosovës, u shfrytëzuan me mënçuri edhe rrethanat e krijuara, zhvillimet rajonale e ndërkombëtare si dhe detanta në raportet e dy superfuqive të kohës, ShBA dhe BS etj.
Për faktorët që sollën fitoren dhe lirinë në Kosovë jep një përgjigje mjaft të kondensuar, të plotë dhe të argumentuar Ismail Kadare, i cili ka folur dhe ka punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai është shprehur se “në radhë të parë, ishte rebelimi i drejtë shqiptar, kryengritja shqiptare, lëvizja shqiptare, lufta shqiptare, kam parasysh lufta për çlirim që udhëhoqi UÇK-ja. Pa të, problemet e Kosovës do të zgjasnin ende.
Një ditë do të merrej vesh e vërteta. Por, e vërteta që ndonjëherë përmes një veprimi, që është edhe heroik dhe dëshpërues, edhe imediat – ritmi i kësaj të vërtete që shpërthen në këtë mënyrë, është shumë efikas. Dhe, kjo ndodhi. Pa një përpjekje të tillë, ndoshta përgjumja ndërkombëtare, dremitja do të vazhdonte shumë gjatë. Pra, ishte ky faktor i domosdoshëm.
Për një fat të shqiptarëve, ky faktor gjeti mirëkuptim nga bashkësia europiane. Sepse, një kohë ai edhe mund të mos gjente mirëkuptim. Ju e dini se për një kohë të gjatë, UÇK-ja, lufta e saj u quajt terroriste dhe propaganda jugosllave ishte kaq e zellshme në këtë gjë sa që kishte arritur të çorodiste një pjesë të opinionit ndërkombëtar, sidomos europian. Fati jonë e deshi që në këtë opinion europian pjesa më përparimtare e tij, e ndihmuar nga faktori i një pjese intelektuale tepër të guximshme të Europës, i një lëvizjeje të një opinioni tepër progresiv europian, zbardhi të vërtetën, se propaganda jugosllave po mashtron. Kështu që ndodhi një ndërthurje e lumtur, do të thosha unë, që faktori i brendshëm të ketë një mirëkuptim nga faktori ndërkombëtar.
Dhe, ndodhi ajo që ndodhi. Ndodhi ajo që ishte e pabesueshme. Që Jugosllavia, e cila ishte kanakarja e Europës Perëndimore dhe asaj Lindore një kohë të gjatë, u bombardua nga Europa për hatër të shqiptarëve. Kështu që, mendoj se të dy këta faktorë – nuk mund të kuptohen pa njëri-tjetrin.” Të gjithë shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe kudo gjetkë do t’i kujtojnë aleatët e tyre të mëdhenj me shumë respekt dhe mirënjohje.
Pas hyrjes së forcave të UNMIKU-t dhe KFOR-it, organizimit të jetës së përditshme politike, ekonomike e sociale, ngritjes së strukturave legjislative, gjyqësore dhe administrative, fillimin e veprimtarisë së tyre, situata e brendshme dhe pozita ndërkombëtare e Kosovës filloi të ndryshonte me shpejtësi, duke ecur drejt progresit të pandalshëm. Do të vinte 17 shkurti i vitit 2008, dita e gdhendur fort në mëndjen dhe zemrën e çdo shqiptari, kur Kuvendi i Kosovës shpalli solemnisht pavarësinë e vendit. Ajo u njoh menjëherë nga një numër shtetesh gjithmonë në rritje, por u kontestua me vendosmëri nga Beogradi, që e shtroi për diskutim në OKB dhe më tej në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, e cila konfirmoi të drejtën e popullit kosovar për shtet të pavarur.
Ambasadori Shaban Murati, studiues i spikatur i zhvillimeve politiko-ndërkombëtare në Europë dhe veçanërisht në rajonin ballkanik, thotë se “Pavarësia e Kosovës… transformoi në planin diplomatik, si përmbajtjen, ashtu edhe objektivat e asaj që, që është quajtur që nga koha e Kongresit të Berlinit, i vitit 1878, si “çështja shqiptare. Jemi në një fazë të re të historisë diplomatike të çështjes shqiptare, që paraqitet tani me një dimension të ri dhe që kërkon reflektimin e drejtë dhe përshtatjen me zhvillimet në hartën e re gjeopolitike të Europës Juglindore.”
Pavarësia e shndërroi Kosovën në një forcë të re, cilësisht të paparë përpara këtij akti historik, sepse ajo tani del si subjekt shtetëror, shtet i formatuar nga pikëpamja institucionale, i njohur ndërkombëtarisht. Ajo i dha një forcë të re dhe peshë të veçantë edhe Shqipërisë në Ballkan, sepse e ka tani aleatin e parë dhe të ri shtetëror në Ballkan të çështjes shqiptare. Iu dha gjithashtu forcë të re popullsive dhe komuniteteve shqiptare, që jetojnë në shtetet e tjera ballkanike, të cilët, në përpjekjet e tyre për gëzimin e të drejtave dhe lirive themelore, kanë mbështetje të fuqishme juridiko-ndërkombëtare nga dy shtete ku jetojnë bashkëkombasit e tyre.
* Shkrimi është shkëputur nga libri Lufta e Kosovës në labirintet diplomatike (Gjenevë, 1998-2002), që del këto ditë nga shtypi