Neymar ka përshkruar ambiciet e tij për “Topin e Artë”, ndërsa pranon se Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo nuk janë nga ky planet. Sulmuesi i PSG është finalist i Ligës së Kampionëve dhe po kërkon lavdinë në skenën më të madhe të Europës.
28-vjeçari ka luajtur një rol kryesor për të tijtë në këtë kompeticion, këtë sezon, teksa të dielën do të përballet me Bayern Munich. Neymar u bë lojtari më i shtrenjtë në botë, kur u transferua në “Parc des Princes” nga Barcelona për 222 milionë euro, por shpesh ka luftuar me dëmtimet gjatë tri sezoneve të fundit.
Ai u largua nga “Camp Nou” për të rritur shanset e fitimit të “Topit të Artë”, një trofe i dominuar nga Messi dhe Cristiano Ronaldo në 11 nga 12 sezonet e kaluara. Braziliani e pranon faktin se Messi dhe CR7 kanë qenë lojtarët më të shquar të brezit të tyre, por, gjithashtu, beson se vetë është në prag të madhështisë.
“Messi dhe Ronaldo sigurisht e kanë mbizotëruar “Topin e Artë”. Gjatë 10 viteve të fundit ata kanë dëshmuar se nuk janë nga ky planet. Do të ishte nder i madh ta fitoja dhe unë këtë trofe – tha Neymar për “Daily Star”. – Por, kjo vjen nga çfarë keni arritur në fushën e lojës, nga ndihmesa e klubit tuaj për të fituar. Kësisioji, këtu është fokusi im”.