Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur Presidentit Ilir Meta. Në fjalën e tij para Asamblesë së Partisë Socialiste, Rama mori me radhë të gjitha përplasjet me presidentin Ilir Meta.
Kreu i socialistëve tha se ishte në dijeni për letrën që kishte dërguar sot Ilir Meta dhe pranoi që ka qenë emigrant. Për sa i përket nismës së Metës për të mbledhur profesorët socialistë që janë larguar në vite, Rama tha se i vetmi që është përjashtuar është Kastriot Islami.
“Ilir Meta u ka shkruar një letër, nuk e dija që Taulanti do ta fuste në rend dite. Ilir Meta kishte thënë se më kishit marrë ju mua emigrant në Paris. Kjo tregon se sa shumë i do ai emigrantët. Ilir Meta, Saliu, Monika e Luli nuk i duan fare emigrantët. Po nuk ishte LSI-së ti nuk ekziston fare për Ilir Metën.
Që unë kam emigrant kjo është fakt, që unë dua që të ketë emigrantë në listën e deputetëve kjo është fakt sërish. Kjo kënga e refugjatit që u bë ministër është një këngë që tregon se e do Shqipërinë vetëm për vete. Ilir Meta flet për banditë e trafikantë, ndërkohë që profesorë e intelektual janë larguar nga partia Socialiste. Kërkon që të marrë me vete, Katriot Islamin, se ky më rezulton i vetmi i përjashtuar dhe më pas i bëri atë që nuk thuhet Partisë Socialiste”, u shpreh Rama.
Më tej Rama ka hedhur edhe njëherë akuza për Presidentin, duke thënë se ky i fundit po dergjet skutave për të mbledhur vota për LSI-në.
“Jo vetëm për Reformën në Drejtësi, por dhe për luftën kundër krimit, askush nuk e bën dot atë që ka bërë Partia Socialiste. Ilir do video, unë nuk merrem me video. Do video për skutat që ai futet, por është e sigurtë në botë, as Saliu as ka pasur dhe as do të ketë më që dergjet skutat për të bërë fushatë për zgjedhjet e ardhshme. Kë takon ai nëpër skuta e di vetë. Fakti që futet nëpër skuta, nëpër kthesa e mbi kalime, sikur të ishte më i votuari në opozitë është fakt kriminal
Thonë shumë që “ti e bëre president”. E vërteta është ndryshe. Ilir Meta u bë president me votat e veta dhe të Partisë Socialiste. Ne nuk i kishim votat për të zgjedhur një president tjetër, por kam qenë i bindur që do ishte një president i opozitës. E kam thënë ditët që u zgjodh. Ne mund të iknim në zgjedhje, por sërish nuk do ishim të bindur se do i kishim votat në zgjedhje”, shtoi kreu i qeverisë.
Në fund ai kritikoi Presidentin për dekoratat që po jep për heronjtë e popullit, duke thënë se as Enver Hoxha nuk e kishte bërë një gabim të tillë. Me ironi Rama tha se Meta ka marrë varrezat me radhë dhe se shumë shpejt mund të dekorohet dhe Skënderbeu.
“Edhe diçka të fundit për Ilir Metën, është presidenti i parë dhe i fundit që jep dekorata për ata që kanë vdekur para se ky të lindte, kjo nuk ekziston. Edhe mbretërit nuk japin dekoratat për ata që kanë vdekur më parë. Ka medalje të posaçme për ata që vriten sot, vritet një ushtar në Afganistan i jepet medalja të shoqes, fëmijës. Por që ti të dekorosh heronjtë e popullit kjo tejkalon Boratin, kjo e bën Boratin më të shëmtuar se kopja. Çfarë i bën Ilir Meta, Vojo Kushi?
Edhe Enver Hoxha ka dhënë vetëm një herë, për Selam Musain, ja dha dhe ky më pas. Kjo ka qenë e vetmja shkelje e protokollit. O Ilir lëri të rënët në punën e tyre se heronjve të popullit nuk u jepet dekorata, se ajo është dekorata më e lartë. Siç duket kjo punë do i japë dekoratë dhe Skënderbeut, i ka marrë varrezat me radhë”, tha ndër të tjera Rama.