Në mes të korrikut, një i ri nga Republika Domenikane, pas një udhëtimi në vendin e tij, kthehet në Itali, në Vercelli, qyteti ku punon dhe jeton.
Nga ai moment, i riu, i cili ishte i prekur me koronavirus, ka infektuar direkt ose indirekt të paktën 126 persona, njëri prej të cilëve humbi jetën.
Sipas epidemiologëve, ky rast që doli nga kontrolli, u bë kështu shkaktar i një prej shpërthimeve më të mëdha në Piemonte.
Epidemiologu, Fabrizio Faggiano, anëtar i njësisë anti-Covid-19 në Valle d’Aosta, dhe profesor i Higjienës në Torino ka rindërtuar zinxhirin e infeksioneve.
Siç është raportuar nga gazeta Il Corriere della Sera, gjithçka filloi më 13 korrik kur i riu kthehet nga Republika Dominikane. Ai nuk tregon se është i infektuar dhe vijon jetën krejt normalisht, në një kohë kur në Vercelli nuk kishte asnjë rast pozitiv.
Në një jetë pa kufizime, pa maska dhe pa distancë sociale, nga pishina në diskotekë, virusi përhapet.
Më 21 dhe 22 korrik, ai takon disa miq në një pishinë dhe i infekton ata. Më 26 shkon në një klub nate ku transmeton virusin te menaxheri i klubit dhe te 58 persona të tjerë duke përfshirë klientët dhe stafin, të cilët pa dijeni infektojnë 15 anëtarë të familjes.
Ndërkohë, takon edhe dy miq, të cilët u transmetojnë Covid të paktën 33 kolegëve. Këta të fundit infektojnë të paktën 8 anëtarë të tjerë të familjes. Por kjo nuk është e gjitha sepse një nga njerëzit e pranishëm në diskotekë shkon në një lokal në ditët në vijim dhe infekton disa klientë të tjerë. Ndërsa një tjetër merr pjesë në një funeral duke infektuar disa të pranishëm.
Në përfundim, u vu re se 12% e infeksioneve ndodhën në një mjedis miqësor/familjar, 26% në vendin e punës, 62% në kohën e lirë.