Mbretëresha britanike, Elizabeth, ka sfiduar masat anti-covid në daljen e parë publike jashtë rezidencave të saj, në 7 muajt e fundit.
Monarkja 94-vjeçare, e cila bën pjesë në grup moshën e riskut, u shfaq pa maskë mbrojtëse në laboratorin sekret ushtarak, “Porton Down”. Megjithatë, të pranishmit, ku bënte pjesë dhe princi William, respektuan distancimin fizik.
Mediat britanike raportojnë se të gjithë pjesëmarrësit në këtë vizitë janë testuar për Covid-19, prandaj ishte konsideruar e panevojshme mbajtja e maskave.
Mbretëresha Elizabeth vizitoi laboratorin sekret për të inspektuar punën e hetuesve mjekoligjorë si dhe për të parë nga afër armët dhe taktikat e përdorura në operacione të inteligjencës britanike.