Protestuesit dolën në rrugë në disa qytete amerikane të mërkurën, duke bërë thirrje për një numërim të plotë të votave, ndërsa grupe më të vogla mbështetëse të presidentit Trump u mblodhën para qendrave të numërimit të votave në Miçigan dhe në Arizona.
Policia në New York arrestoi dhjetëra njerëz të mërkurën mbrëma pas asaj që kishte qenë një demonstratë paqësore. Zyrtarët thanë se një grup i vogël njerëzish “u përpoqën të rrëmbenin” protestën duke u vënë zjarrin plehrave dhe duke u përleshur me oficerët e policisë.
Protestuesit marshuan gjithashtu në Çikago, Los Anxhelos, Seattle, Hjuston, Pittsburgh, Minneapolis dhe San Diego. Përveç thirrjes për numërimin e votave, demonstruesit theksuan gjithashtu pabarazinë racore, subjekt i protestave të shumta gjithandej Shteteve të Bashkuara këtë vit.
Në shtetin veriperëndimor të Oregonit, Guvernatorja Kate Brown aktivizoi Gardën Kombëtare, ndërsa policia në Portland i cilësoi si trazira protestat e atjeshme duke kryer edhe arrestime.
Mbështetësit e Presidentit Donald Trump shkuan në një qendër të numërimit të votave në Detroit, Miçigan, për të kërkuar ndërprerjen e numërimit. Ata në një tubim të mëvonshëm në Phoenix të Arizona, brohoritën “Ndalni vjedhjen”.
Demonstratat e ndryshme shpërthyen, ndërsa rezultati i zgjedhjeve të së martës mbeti i paqartë dhe presidenti bëri pretendime të pambështetura për mashtrim, ndërsa republikanët ngritën padi të shumta zgjedhore.