Shkencëtari bërthamor iranian Mohsen Fehrizadeh u vra nga një mitraloz që kontrollohej në distancë nga një automjet, njoftoi agjencia e lajmeve Fars.
Zyrtarët iranianë fajësojnë Izraelin për vrasjen e Fehrizadeh dhe premtojnë hakmarrje. Sidoqoftë, ekzistojnë versione të ndryshme se si ndodhi sulmi ndaj shkencëtarit kryesor bërthamor të Iranit.
Sipas një raporti të agjencisë Fars, Fehrizadeh po udhëtonte me një grua në një makinë të blinduar. Ai shoqërohej nga tre automjete me anëtarët e shërbimit të sigurisë.
Në një moment, shkencëtari dëgjoi të shtëna armësh dhe doli për të parë se çfarë po ndodhte.
Dhe sapo doli, zjarri u hap nga një mitraloz që operohej në distancë nga një makinë Nissan që ishte parkuar rreth 150 metra larg.
Fehrizadeh u godit të paktën tre herë, njoftoi agjencia Fars. Një nga truprojat gjithashtu u godit. Pas të shtënave, Nissani shpërtheu. Sulmi zgjati rreth tre minuta.
Versioni i The New York Times
“Duke bërë përherë të njëjtën rrugë, me kujdes dhe i shoqëruar për në shtëpinë e vjehrrit të tij në një qytet jashtë Teheranit, makina e Fahrizadeh u ndalua të premten nga një makinë bombë që shpërtheu.
Shpërthimi i fuqishëm rrëzoi një shtyllë elektrike pranë duke bërë që në zonë të binte terri i plotë” – raportoi ‘The New York Times’ që citon mediat iraniane.
“Një ekip personash të armatosur më pas dolën nga një fuoristradë e zezë dhe pasi eliminuan truprojat e shkencëtarit të njohur, qëlluan me breshëri edhe vetë Fakhrizadeh, duke e lënë të vdekur në rrugë.”
‘Times of Israel’ raportoi se tre nga truprojat e Fakhrizadeh u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit dhe se operativët që kryen goditjen e koordinuar u arratisën menjëherë. Media izraelite shton se shpërthimi nga makina bombë ishte aq i fuqishëm, sa i çoi copëzat disa qindra metra larg.
Raportet e pakonfirmuara nga një gazetar iranian pretenduan se më shumë se dhjetë persona morën pjesë në ekzekutimin e shkencëtarit dhe shoqëruesve të tij. Një pjesë e tyre erdhën me një fuoristradë ndërsa të tjerët ishin me motorë.
Gazetari pretendoi se ekipi kishte mbështetje me snajper dhe se operativët e nxorën Fakhrizadeh nga makina, e qëlluan atë dhe u siguruan që ai kishte vdekur.