Extra Një natë në Wuhan, në epiqendrën e pandemisë ka vetëm festë (FOTO)

Një natë në Wuhan, në epiqendrën e pandemisë ka vetëm festë (FOTO)

E ndërsa Europa po mbyllet për të evituar valën e tretë të koronavirusit, Wuhan-i, epiqendra e pandemisë rikthehet në normalitet.

Nga njerëzit që mbushin plot tragetet lokale, tek ata që kërcejnë të shpenguar nëpër sheshet e qytetit. Jeta e natës në Wuhan, është rikthyer me të gjithë fuqinë, gati 7 muaj pasi qyteti hoqi kufizimet strikte, dhe të rinjtë e pasionuar pas festave po përqafojnë katarsisin.

“Gjatë pandemisë, Wuhani ishte vërtet një qytet i vdekur. Por, më pas u rihap dhe nuk kam parë kurrë kaq shumë njerëz”, shprehet një banor.

Në skena të paimagjinueshme në qytetet e tjera rreth botës që po vuan nga një rigjallërim i pandemisë, banorët e rinj të Wuhanit po rifitojnë kohën e humbur, duke mbushur klubet e natës e duke u përfshirë në aktivitete me pjesëmarrje masive.

Në një birrari të mbushur me njerëz, Zhang Qiong po shijon një natë jashtë me miqtë.

“Pasi përjetova valën e parë të pandemisë në Wuhan e më pas lirinë, duket se kam fituar një jetë të dytë.”, shprehet ai.

Jashtë, të rinj pa maska dynden në rrugë, konsumojnë alkool e duhan e luajnë lojëra rruge. Rigjallërimi i jetës së natës në qytetin ku e pati origjinën virusi që sot po terrorizon botën, ofron një vështrim tek jeta e pas pandemisë, që shumë shpresojnë se do të bëhet realitet pas shpërndarjes globale të vaksinave.

Wuhani nuk raporton asnjë rast të transmetimit lokal të virusit që prej 10 majit, pasi iu nënshtrua një prej izolimeve më të rrepta në të gjithë botën.