Vetëm 17 ditë pas daljes nga karantina, Britania e Madhe do t’i nënshtrohet sërish një plani masash mjaft të rrepta për shkak të përhapjes me shpejtësi të koronavirusit të ri. Këtë e lajm e dha kryeministri Boris Johnson, i cili tha që i “vjen keq” që Krishtlindjet do të festohen në këtë mënyrë. Për më tepër disa zonë të nxehtë do të shkojnë sërish në një karantinë të plotë.
Bëhet me dije se Londra, Anglia juglindore, Uellsi dhe Skocia do të jenë ndër zonat që do të hyjnë në nivelin e fundit të rrezikshmërisë, 4, e ngjashme me Lock-Down.
“Përhapja po drejtohet nga varianti i ri i virusit, Duket se përhapet më lehtë dhe mund të jetë deri në 70% më e transmetueshme sesa lloji i mëparshëm. Me zemër të thyer ju them se nuk mund të vijojmë me planin për Krishtlindjet”, deklaroi Johnson.
Më herët ishte deklaruar se Britania do t’i kalonte Krishtlindjet pa kufizime, por pak ditë më parë ishulli britanik u godit teksa në pjesën jugore të vendit u zbulua një koronavirus i ri, 70% më i rrezikshëm se i pari sipas Johnson.
Ulje shifrash në Itali, vaksinat e para mbërrijnë më 27 dhjetor
Bilanci italian i koronavirusit sot flet për një ulje domethënëse të shifrave, siç ndodh shpesh herë gjatë fundjavës.
Sipas autoriteteve italiane, u regjistruan 16308 raste të reja infektimesh me COVID-19, ndërkohë që dje ishin 18 mijë. Viktimat janë 553, 121 më pak se 24 orë më parë. Në rënie edhe raporti testime/pozitivitete, që bie poshtë 10%.
Veneto konfirmohet si rajoni më i goditur me 3834 raste, i ndjekur nga Lombardia me 1944 dhe Emilia Romanja me 1641.
Vendi do të mbyllet pothuajse totalisht nga data 24 deri në 6 janar, gjë që ka përshpejtuar blerjet e fundvitit për italianët, me skena grumbullimesh që shqetësojnë ekspertët.
Sipas autoriteteve, fushata e vaksinimit me vaksinën Pfizer në Itali do të fillojë më 27 dhjetor me rreth 10 mijë vaksina kryesisht për personelin mjekësor, që do pasohen në janar me fushatën masive.