Bota Erdogan kërkon lidhje më të mira me Izraelin, por “politika e tyre...

Erdogan kërkon lidhje më të mira me Izraelin, por “politika e tyre ndaj palestinezëve është e papranueshme”

Presidenti turk Tajip Erdogan deklaroi të premten se Turqia do të donte të kishte lidhje më të mira me Izraelin dhe se bisedimet në nivelin e inteligjencës midis të dy palëve po vazhdojnë, por kritikoi politikën izraelite ndaj palestinezëve si “të papranueshme”.

Të dy vendet kanë pasur një marrëdhënie të hidhur në vitet e fundit, megjithë lidhjet e forta tregtare, duke dëbuar ambasadorët në 2018. Ankaraja ka dënuar vazhdimisht pushtimin e Izraelit në Bregun Perëndimor dhe trajtimin ndaj palestinezëve.

“Politika palestineze është vija jonë e kuqe. Është e pamundur që ne të pranojmë politikat e Izraelit ndaj Palestinës. Aktet e tyre të pamëshirshme atje janë të papranueshme”, tha Erdogan.

Duke folur para gazetarëve pas lutjeve të së premtes në Stamboll, Erdogan tha se Turqia kishte probleme me “njerëzit në nivelin e lartë” në Izrael dhe se lidhjet mund të kishin qenë “shumë më ndryshme” nëse nuk do të ishin ato çështje.

“Nëse nuk do të kishte çështje në nivelin e lartë, lidhjet tona do të kishin qenë shumë të ndryshme. Ne do të dëshironim t’i çonim lidhjet tona në një pikë më të mirë.”

Turqia dhe Izraeli, ish-aleatë, dëbuan diplomatët kryesorë të njëri-tjetrit në 2018-ën për shkak të përplasjeve në Rripin e Gazës ku u vranë dhjetëra palestinezë nga forcat izraelite. Ankaraja dhe Tel Aviv vazhdojnë aktivitetet tregtare me njëri-tjetrin.