Kryesore Kaosi në Uashington, Trump-protestuesve: Shkoni në shtëpi, askush nuk duhet të lëndohet

Kaosi në Uashington, Trump-protestuesve: Shkoni në shtëpi, askush nuk duhet të lëndohet

Presidenti amerikan Donald Trump është shfaqur me një video-mesazh duke u bërë thirrje protestuesve që të largohen nga Kongresi.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, edhe në këtë mesazh drejtuar mbështetësve, përsëriti se zgjedhjet presidenciale janë vjedhur, megjithatë ai u shpreh se është e rëndësishme që të mos ketë asnjë të lënduar.

“E di që keni dhimbje, e di që jeni lënduar. Patëm zgjedhje që na u vodhën. Por duhet të shkoni në shtëpi tani, duhet të ruajmë paqen, duhet të kemi rend kushtetues, duhet të respektojmë njerëzit e ligjit. Nuk duam që askush të lëndohet, është një kohë shumë e vështirë. Nuk ka patur asnjëherë kohë të ngjashme si kjo, të ndodhte diçka e tillë. Duhet të kemi paqe, kështu që shkoni në shtëpi. Ju duam, jeni të veçantë, e keni parë se çfarë ka ndodhur. E kuptoj si ndiheni, por shkoni në shtëpi”, tha Trump ndër të tjera.

Më herët, Presidenti i zgjedhur Joe Biden i bëri thirrje Trumpit që të dilte në televizion dhe t’u kërkonte mbështetësve të tij që të largohen nga Capitol Hill.

Senati i kalon demokratëve pas 7 vitesh. Jon Ossof fiton balotazhin në Georgia sipas projeksioneve të NBC, mw herët gjatë ditës kishte fituar edhe demokrati Raphael Warnock.

Sulmi në Kongres

Protestuesit hynë brenda Kongresit kur po zhvillohej seanca për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve amerikane.

Protestuesit kaluan barrikadat e sigurisë përreth godinës së Capitol Hill dhe u futën në ambientet e brendshme ku po zhvillohej seanca për certifikimin e rezultatit të Kolegjit Zgjedhor dhe shpalljen e Joe Biden si fitues të zgjedhjeve presidenciale.

Një grua ndodhet në gjendje kritike për jetën pasi është qëlluar me armë në gjoks në Kapitol. Nuk dihen rrethanat.

Mediat raportojnë se pjesa më e madhe e anëtarëve të dy dhomave të Kongresit janë evakuuar. Kongresmeni republikan McCarthy raporton të shtëna brenda godinës.

Presidenti Trump përmes një statusi në Twitter iu bëri thirrje protestuesve të mbështesin forcat e policisë. Ndërsa në një tjetër mesazh në Twitter ai shkruante: “Ruani qetësinë. Ne jemi partia e ligjit dhe rregullave. Respektoni uniformat blu”.

Senatori republikan Ted Cruz deklaroi: “Ata që kanë hyrë në Kapitol duhet t’i japin fund. Kushtetuta e mbron protestën, por dhuna është gjithnjë e gabuar”.

Para trazirave, Presidenti Trump foli përpara mbështetësve të tij dhe vijoi me akuzat për zgjedhjen e zgjedhjeve dhe nuk ka pranuar humbjen përballë demokratit Joe Biden.

“Ne kurrë nuk do të dorëzohemi, nuk do të pranojmë kurrë. Ne do të ndalojmë vjedhjen”, ishin këto fjalët e Trump gjatë një fjalimi të mbajtur pranë Shtëpisë së Bardhë.