9 janë personat e arrestuar për vrasjen e shqiptarit Armando Beqiri, ngjarje e ndodhur më herët gjatë këtij muaji në Reikjavik të Islandës.
Sipas mediave islandeze, policia mësohet se po përpiqet të zbardhë lëvizjet e të arrestuarve, të cilët akuzohen si të përfshirë në vrasjen e 33-vjeçarit. E teksa policia dyshon se pjesëmarrës në vrasje ka qenë më shumë se një person, asnjë prej të ndaluarve nuk e ka pranuar krimin. As arma me të cilën është kryer krimi nuk është gjetur ende.
Policia është tejet e rezervuar në dhënien e informacionit, ndërsa hetimet po zhvillohen në shkallë të gjerë, ku është përfshirë edhe Europol.
Armando Beqiri, i cili jetonte prej vitesh në Islandë u vra në derë të shtëpisë së tij, në lindje të Reikjavik më 13 Shkurt.
Ai jetonte prej vitesh në këtë shtet, ishte i martuar me një islandeze me të cilën kishte një djalë 15 muajsh dhe priste të bëhej baba për herë të dytë. Bashkëshortja dhe djali ndodheshin në shtëpi në momentin kur ndodhi krimi. Beqiri kishte edhe nënshtetësi islandeze.
8 prej të arrestuarve për vrasjen e tij janë me kombësi të huaj, ndërsa i nënti është islandez. Motivet e krimit nuk bëhen të ditura, megjithatë që në fillim dyshimet e ngritura në mediat vendase janë se lidhen me përplasjen mes bandave.