Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar fushatën elektorale në njësinë 11. Basha ka takuar qytetarë në rrugët e Laprakës, ku është njohur me problemet e tyre dhe i janë ankuar se është një situatë e vështirë. Lulzim Basha, në këtë zonë ku u ndal dhe takoi qytetarë e përfaqësues të biznesit, të cilat i thanë se janë në prag të falimentit.
Sipas kryetarit të PD, situata do të ndryshojë më 25 Prill dhe u bëri ftesë qytetarëve që të bëhen bashkë që ndryshimi të vijë sa më shpejt.
“25 prilli është ditë ndryshimi! 25 prilli është ditë fitoreje për të gjithë shqiptarët! Është ditë shprese dhe besimi se Shqipëria ka shumë pasuri veç i kanë zënë dy veta, pesë veta, 10 veta për veten e tyre. Ne do i çlirojmë e do i japim oksigjen e frymëmarrje juve si sipërmarrje, familjeve shqiptare edhe fëmijëve shqiptarë. Kështu që të bëhemi të gjithë bashkë në kutinë e votimit më 25 Prill”, tha Basha.
Basha gjithashtu pati një pritje të veçantë nga simpatizantë të kësaj zone, të cilët kishin realizuar një pankartë gjigande të cilën e shpalosën nga kati i fundit në një pallat.
“Surpriza juaj, e mrekullueshme. Faleminderit! 25 Prilli të jetë një ditë e bashkimit dhe e fitores për të gjithë shqiptarët. Natyrisht, më takon mua dhe Partisë Demokratike ta drejtojmë ndryshimin që mezi prisni të gjithë. Ndryshim në ekonomi, ndryshim në arsim, ndryshim në paga, pensione, në shpresë dhe në besim. Ndryshim për rininë, ndryshim për gjyshërit dhe gjyshet shqiptare. Është plotësisht i mundur sepse kemi besimin, kemi vizionet, kemi planin dhe vendosmërinë dhe përvojën për të filluar për t’i bërë këto plane realitet për të gjithë qytetarë“, tha Basha.