Aktualitet Nis vaksinimi i punonjësve të policisë

Nis vaksinimi i punonjësve të policisë

Këtë të shtunë nisi vaksinimi për punonjësit e policisë. Efektivët e parë të Policisë së Shtetit u vaksinuan në pikat e ngritura në stadiumin “Air Albania”. Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe ministrja e Shëndetësisë, Oferta Manastirliu, treguan se ditën e sotme do të vaksinohen 600 punonjës. Me këtë numër është parashikuar që të vijohet edhe çdo ditë për ditët në vijim.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, u shpreh se mes të vaksinuarve janë punonjësit e forcave të rendit, atyre të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forcave RENEA.

Vaksinimi i punonjësve të policisë ka filluar edhe në rrethe. Nisjen e procesit të vaksinimit për policët e ndoqi edhe kryeministri Edi Rama. Gjatë bisedës me Veliun dhe Manastirliun ai mbrojti vaksinën kineze të ardhur në Shqipëri duke cituar një artikull të The Times.

“Dje ishte shumë interesant, kishte nxjerrë The Times një artikull bazuar në të dhënat e deritanishme dhe Sinovac ishte i pari në eficencë”, tha Rama.

Gjithsej janë mbi 11 800 mijë punonjës policie për të vaksinuar, ndërkohë që Garda e Republikës mbi 1 mijë punonjës.

Deri më tani në Shqipëri janë vaksinuar mësuesit, bluzat e bardha dhe po vijon vaksinimi i të moshuarve mbi moshën 70-vjeç. Aktualisht në vendin tonë kanë hyrë 4 lloje të ndryshme vaksinash, Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.