Gjysma e kandidatëve të Partisë Socialiste dhe tre të PD-së në listat e Shkodrës janë banorë të Tiranës në një garë ku marrin pjesë edhe dy fëmijë biznesmenësh. Për LSI konkurron deputeti biznesmen Agron Çela. Njihuni me kandidatët për deputetë në qarkun Shkodër. Kjo analizë është pjesë e një serie analizash zgjedhore nga BIRN Albania.
Nga Gjergj Erebara / BIRN
Afro 274 mijë banorë të qarkut Shkodër do të kenë mundësi të zgjedhin 11 deputetë në zgjedhjet e 25 prillit, në një garë ku politikanë vendorë kanë arritur në zgjedhjet e kaluara të gërryejnë nga votat e Partisë Demokratike, e cila ka qenë historikisht forcë e parë në qark.
Në zgjedhjet e vitit 2017, PD mori 5 mandate, PS 4, LSI 1 dhe PSD e Tom Doshit, 1 mandat. Partia Socialiste ka deklaruar se synimi i saj për Shkodrën vijon të jetë marrja e katër mandateve ndërsa biznesmeni Agron Çela, më herët deputet i LSI vijon të jetë kandidati i parë i kësaj partie në garë krahas Tom Doshit, i cili mori një mandat si përfaqësues i Partisë Social-Demokrate në vitin 2017.
Partia Socialiste garon në zgjedhjet e Shkodrës me politikanët e saj të vjetër Paulin Sterkaj e Ilir Beqaj ndërsa ka vendosur 32-vjeçaren Edona Bilali në vend të parë. Bilali ka studiuar në Universitetin e Tiranës për administrim biznesi dhe në CV-në e saj thotë se është “administratore dhe ortake në një studio konsulence në Tiranë”. Studioja në fjalë është AZ Consulting. Kjo kompani duket se ka për klient edhe Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, për të cilën prodhon video promocionale, disa prej të cilave publikohen në Facebook të kryeministrit Edi Rama.
Në vend të dytë është Paulin Sterkaj, është një ish-oficer policie, biznesmen në fushën e hidrokarbureve, restoranteve dhe ndërtimit. Ai thotë në CV-në e tij se ka mbaruar studimet në Institutin e Kulturës Fizike Vojo Kushi në Tiranë.
Në vend të tretë, drejtori aktual i KESH, Benet Beci pritet të bëhet deputet. I katërti është Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë. Në rast se PS merr katër mandate dhe nuk ndodh ndonjë përmbysje nga vota pëlqyese, atëherë që të katërt do të jenë banues në Tiranë dhe deputetë në Shkodër.
Në fakt, gjashtë nga 12 kandidatët e Partisë Socialiste, përfshirë pesë të parët, e kanë vendbanimin në Tiranë.
Socialistët kanë në listë edhe dy fëmijë biznesmenësh. Jona Leqejza, 34 vjeç, ka studiuar në Universitetin e Shkodrës për ekonomi dhe punon si menaxhere në Madish sh.p.k., kompania me material porositësh që prodhon kryesisht të brendshme në Shkodër dhe që është nën pronësinë e Gjergj Leqejzës, babait të Jonës. Jona Leqejza mban numrin 10 në listën e Partisë Socialiste.
Po kështu në listë në numrin 12 është edhe Kabir Fishta, 26 vjeç, i biri i Sait Fishtës, i cili, në zgjedhjet e vitit 2017, ishte kandidat i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, si dhe si ndërtues në plazhin e Velipojës. Ndryshe nga i ati, Kabiri nuk ka një CV shumë të gjatë. Ai ka studiuar në Zvicër ndërsa nuk paraqet në CV ndonjë të dhënë mbi punët që mund të ketë kryer. Ai thotë se ka aktivitet shoqëror në fondacionin Qemal Stafa të FRESH.
PS Vendbanimi
1- Edona Bilali Tiranë
2- Paulin Sterkaj Tiranë
3- Benet Beci Tiranë
4- Ilir Beqaj Tiranë
5- Frrok Gjini Tiranë
6- Lela Bërdica Shkodër
7- Pal Peraj Fushë Arrëz
8- Kristian Shkreli Bushat
9- Diana Muriqi Shkodër
10- Jona Qelezja Shkodër
11- Alda Mema Pukë
12- Kabir Fishta Tiranë
Partia Demokratike mori 7 mandate deputetësh në Shkodër në vitin 2009 por ra në pesë mandate në dy zgjedhjet pasuese. Të dy mandatet e humbura prej saj i kaluan, në vitin 2013 LSI dhe Mark Frrokut të PDKSH, i cili ishte në aleancë me Partinë Socialiste, ndërsa në vitin 2017 ranë në duart e LSI dhe Tom Doshit të PSD-së. Partia Demokratike ka pësuar gjithashtu rënie dramatike të votave në Shkodër, nga 56 mijë në vitin 2009, në 41 mijë më 2017. Në zgjedhjet e kaluara, diferenca mes dy partive ishte vetëm 1500 vota. Kjo mund të sugjerojë se rezultati nuk është lart të qenit i papërmbysshëm. Në rast se PS merr mandatin e pestë, atëhere Frrok Gjini, ish-deputet i Partisë Demokrate e Re në zgjedhjet e vitit 2005 (partia që krijoi Genc Pollo dhe që më pas u ribashkua me PD-në), do të hyjë në parlament, kësaj here për socialistët.
Lista e demokratëve, veçanërisht në pjesën fituese, përbëhet nga demokratë me vendbanim në Shkodër.
Ajo kryesohet nga Helidon Bushati, një i diplomuar në Padova dhe Marsejë dhe që ka punuar si drejtor në administratën publike në Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe në QSUT para se të bëhej deputet në vitin 2013.
Në vend të dytë është Emilja Koliqi, aktualisht nënkryetare e Bashkisë Shkodër, me eksperiencë si ekonomiste në pozicione të ndryshme në administratën publike në Shkodër.
Në vend të tretë është Ramadan Likaj, biznesmen nga Malësia e Madhe, i cili humbi garën për kryetar bashkie në Malësinë e Madhe në vitin 2015 me rezultat të ngushtë votash.
Greta Bardeli, pedagoge dhe politikane vendore, është në vend të katërt.
Zef Hila, ish-kryetari jetëgjatë i komunës Bushat, e më pas, i bashkisë Vau i Dejës, është në vend të pestë. Lodovok Hasani, me vendlindje Iballë, Pukë, por që banon në Tiranë, është në vend të gjashtë ndërsa politikanët Bardh Spahia e Nard Ndoka janë vendosur në pozicionet 7 dhe 8, pra në atë pjesë të listës nga e cila do ta kenë të vështirë për t’u zgjedhur.
PD Vendbanimi
1- Helidon Bushati Shkodër
2- Emilja Koliqi Shkodër
3- Ramadan Likaj Koplik
4- Greta Bardeli Shkodër
5- Zef Hila Barbullush
6- Lodovik Hasani Tiranë
7- Bardh Spahia Tiranë
8- Nard Ndoka Tiranë
9- Izmira Rusi (Ulqinaku) Shkodër
10- Aldo Gega Shkodër
11- Arben Gjuraj Shkodër
12- Helga Sallaku Shkodër
Për Lëvizjen Socialiste për Integrim garon në vend të parë Agron Çela, biznesmen, me aktivitet në turizëm, ndërtim dhe telefoni. Në vend të dytë është Edmond Ndou.
Deputeti Tom Doshi garon në emër të Partisë Socialdemokrate në qarqet Shkodër dhe Tiranë. Ai ia doli të marrë 13 mijë vota në vitin 2017 në Shkodër për t’u zgjedhur deputet, por partisë së tij i nevojiten kësaj here 1% e votuesve në rang kombëtar që të mund të kalojë pragun, pra edhe disa mijëra vota më shumë.