Në Vendin e Shenjtë zbulohen herë pas here objekte biblike. Studimi i tyre ngre shumë pyetje dhe pa ndihmën e arkeologëve ato nuk mund të datohen.
Historitë pasionante biblike flasin për vuajtjet dhe vdekjen e Jezusit nga Nazareti, tregojnë se si Jezusi u dënua për vdekje dhe u kryqëzua nga funksionari romak i Judeas, Pontius Pilatus. Shumë pjesë të kësaj historie e kanë burimin tek Dhjata e Re, por jo çdo gjë e saj është e konfirmuar historikisht.
Gërmimet sjellin vetëm gurë të ri në mozaik
Për shembull mënyra e ekzekutimit me kryqëzim nuk është dëshmuar se ka qenë ndonjë lloj dënimi që është përdorur gjatë antikitetit. Gunnar Samuelson, historian në Universitetin e Gëteborgut, studjoi në vitin 2010 në kuadër të punimit të tij doktorues, të gjitha burimet greke, latine dhe hebraiko-aramaike që mund të gjente, që nga periudha e Homerit e deri në shekullin e parë të erës sonë dhe pa se nuk ekzistonte asnjë dëshmi që të tregonte se kryqëzimi ka qenë metodë e zakonshme ekzekutimi.
Megjithëse arkeologët kanë gjetur gjurmë ADN tek gozhdët e rrahura nga kovaçi, që janë përdorur për kryqëzimin, nuk ekziston asnjë dëshmi shkencore që të thotë se ka qenë Jezusi ai që është kryqëzuar dhe është varrosur më vonë në vendin që sot quhet Kisha e Varrit në Jeruzalem. “Ka shekuj të tërë që zhvillohen debate lidhur me detajet”, thotë arkeologu dhe profesori i judaizmit në Universitetin Duke, Eric Meyers, në një artikull shkruan nga Kristin Romey dhe botuar në revistën National Geographic: “Por asnjë akademik serioz nuk e vë në dyshim se ky person historik ka ekzistuar.”
Bibla si koleksion historish
Historitë e Biblës rrotullohen shpesh në kuadër të miteve fetare, por nuk mund të dëshmohen nga pikëpamja arkeologjike. Për shembull, Jeruzalemi përshkruhet në Bibël si qendra e Perandorisë së madhe të Mbretit David. Në të vërtetë Jeruzalemi ka qenë në atë kohë “një katund”, thotë në librin e tij “Mbretëria e harruar – Izraeli dhe origjina e fshehtë e Biblës arkeologu Israel Finkelstein.
Dhe pikërisht kjo gjë shtron gjithnjë pyetje dhe çështje të reja studimore. Prandaj studimet arkeologjike janë mbështetje e madhe për studiuesit e Biblës në botë. Arkeologjia si shkencë kontrollon të dhënat, materialet dhe objektet nga periudha e Jezusit dhe bën lidhjet e tyre historike. Ka shumë dekada që arkeologët nxjerrin nga muret e qytetit të Jeruzalemit duke gërmuar në pjesën e vjetër të qytetit, zbulime të papritura dhe gjetje të reja nga periudha e testamentit të vjetër.
Shumë histori janë trashëguar me gojë
Bibla ka në këtë pikë vlerën e saj historike. “Bibla mund të lexohet si libër fetar, por mund të merret edhe si burim arkeologjik,” thotë Dirk Schmitz nga Muzeu Romako-Gjerman në Këln. “Nëse kërkon të studiosh raportet e periudhës së atëhershme, ardhja e Jezusit në kohën e Pashkëve në Jeruzalem, ku arrestohet dhe dërgohet para gurvernatorit romak, sheh se të gjitha këto institucione njihen nga shkrimi i historisë.”
Skicimet e para nga Bibla, thotë për Deutsche Wellen arkeologu nga Këlni, janë bërë 50 ose 60 vjet pas vdekjes së Krishtit. “Para kësaj kohe historitë janë transmetuar me gojë. Dhe ju e njihni parimin e “telefonit të prishur”, pra si transformohet historia kur kalon nga një gojë tek tjetra dhe se si asaj i ndryshohet herë një pjesë e herë një pjesë tjetër. Nëse transmetimet e para me shkrim janë bërë 200 ose 300 vjet më vonë, atëherë duhet shtruar pyetja e saktësisë historike. Histori të tilla ngjyrosen gjithnjë dhe nuk janë tregime objektive.”
Gjoja falso por në të vërtetë ishte origjinal?
130 vjet më parë u shfaqën në Izrael dorëshkrime antike të Biblës që ishin gjetur në shpellat e Detit të Vdekur. Në vitin 1883, hebreu Wilhelm Moses Shapiro, tregtar antikuitetesh, u tregoi specialistëve më të rëndësishëm të kohës fragmente të tri manuskripteve të shkruara në copa lëkure në gjuhën hebreje. Këto zbulime sensacionale Shapiro ia ofroi për blerje Muzeut Britanik në Londër.
Doli se 15 dorëshkrimet e Biblës ishin gjoja falsifikime dhe dorëshkrimet origjinale ishin djegur kur kishte rënë zjarri. Shapiro, që ishte shfaqur edhe më parë si fallsifikator, vrau veten.
Ajo çka kishte mbetur ishin vetëm gërma të shkruara, thotë studiuesi i Biblës, Idan Dershowitz, që bën studime dhe jep mësim në “School of Jewish Theology” në Universitetin e Pocdamit: „Këto shkrime kanë qenë vetëm një pjesë e vogël e manuskriptit fillestar. Njerëzit patën bërë diçka që të dukej si ky fragment, por nuk ishin të kujdesshëm sa duhet që të shkruanin çdo gërmë me saktësi.”
Megjithatë studiuesi izraelit vazhdoi të besonte në vërtetësinë e kësaj gjetjeje biblike dhe e mbrojti këtë ide në një artikull të shkruar për New York Times. “Dhe në fakt gjeta një transkript tjetër që Shepiro e kishte bërë vetë dhe që ishte shumë interesant,” thotë ai i intervistuar nga Deutsche Welle. “Unë kisha kështu në dorë të gjithë tekstin, që mund ta studioja. Dhe mua nuk m’u duk sikur të ishte puna e një falsifikatori.”
Sensacion: Zbulime të reja të fragmenteve biblike
Në fillim të vitit 2021 arkeologët izraelitë zbuluan sërish fragmente shekullore të një dorëshkrimi antik. Objektet ishin të periudhës rreth 132 pas të erës sonë, bëri të ditur në muajin mars Enti kombëtar për antikitetin. Zbulimi sensacional ka të bëjë me fragmentin më të hershëm biblik të zbuluar ndonjëherë. Fragmentet biblike të zbuluara së fundmi janë të shkruara në gjuhën greke. “Nuk kemi të bëjmë me ndonjë tekst hebraik, por me një tekst grek”, i tha Deutsche Welles në muajin mars, Wolfgang Zwickel, profesor për Testamentin e Vjetër dhe arkeologjinë biblike në Universitetin e Mainzit.
“Pra teksti është përkthyer që në atë kohë. Greqishtja ka qenë në atë kohë gjuha botërore e Mesdheut. Hebraisht nuk dinte në atë kohë kurrkush përveç shkruesve,” thotë Zwickel.
Vendi i zbulimit të Biblës në shpellat Qumran të Detit të Vdekur
Vendi i zbulimit nuk është i panjohur: një shpellë e fshehur thellë në afërsi të Detit të Vdekur, aty ku u gjetën në shekullin e 19-të edhe objektet e Londrës. Në vitin 1947 barinjtë e dhive gjetën në shkëmbinjtë e rajonit të shkretë edhe të famshmet „dorëshkrimet e Qumranit”, të quajtura sipas vendit ku u gjetën në shpellat e Qumran-it. Ato janë zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të shekullit të 20-të. Sepse, ato nuk vihen në dyshim nga pikëpamja shkencore dhe se bëjnë pjesë në ato pak gjëra të sigurta që kanë lidhje me Testamentin e Vjetër, thotë Dirk Schmitz nga Muzeumi romako-gjerman në Këln: “Bibla nuk ka bërë pjesë në atë kohë, pra në vitin 132 pas erës sonë, në librat më të rëndësishëm. Kristianizmi nuk ka qenë as feja shtetërore as fe e përhapur shumë. Ajo ka qenë vetëm një nga shumë fetë.” Por kush e di çfarë objektesh arkeologjike do shfaqen ende. Projekti i gërmimeve rreth mureve të vjetra të qytetit të Jeruzalemit do të hyjë në një fazë të re në verën e vitit 2021./DW