Aktualitet Ngjarje e rëndë gjatë mbylljes së votimit në Fushë-Arrëz, plagoset me thikë...

Ngjarje e rëndë gjatë mbylljes së votimit në Fushë-Arrëz, plagoset me thikë polici

Një punonjës policie mbeti i plagosur në Fushë Arrëz mbrëmjen e kësaj të diele në një qendër votimi, gjatë kohës që po mbyllej procesi i votimit.

Burime zyrtare të policisë thonë se polici Gëzim Osmanaj, 47 vjeç, u plagos nga 32-vjeçari Mikel Lleshaj, për shkaqe ende të paqarta.

Efektivi i plagosur është nisur drejt spitalit, ndërsa autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje është shpallur në kërkim nga policia.

“Më datë 25.04.2021, rreth orës 19:00, gjatë mbylljes së procesit të votimit, në momentin e mbërritjes në QV nr. 0399, është plagosur me mjet preres (thikë), punonjësi i Policisë G. O., i cili po dërgohet për mjekim në spitalin e Pukës. Nga veprimet e para hetimore është bërë identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasi M. Ll., 32 vjeç, banues në fshatin Qafë Mali, Pukë dhe po punohet për kapjen e tij. Në vendngjarje, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje”, tha policia e Shkodrës në një njoftim për media.