Analisti Afrim Krasniqi ka deklaruar se dorëheqja e Tom Doshit është një lëvizje e zgjuar, e cila i mbyll atij dhe çështjen e dekriminalizimit.
“Tom Doshi është korrekt në sjelljen e tij, e ka deklaruar edhe para zgjedhjeve. Lëvizja e tij është lëvizje e zgjuar. Zoti Rama ka thënë që nuk bëj negociatë me PSD, me partinë e zotit Doshi ku ai është akoma kryetar, kështu që përjashtohet automatikisht në kalkulimet e tij nëse shkon në këtë kufi.
PS ka të drejtë të kërkojë mandate. Më mirë ti marrë te PSD sesa të marrë te partitë që shkojnë sa te e djathta sa te e majta. Zoti Doshi me vendimin për dorëheqje, praktikisht mbyllet dhe çështja e dekriminalizimit. Nuk ka më hetime, nuk ka më proces. Si kryetar partie i lejohet të qëndrojë edhe sikur të ketë rekorde negative. Është një kalkulim i zgjuar politik e atyre që e kanë bërë këtë lloj skenari”, u shpreh Afrim Krasniqi në A2.