Sport Bayern zgjedh trajnerin e ri

Bayern zgjedh trajnerin e ri

Bayern Munich ka emëruar Julian Nagelsmann si trajnerin e ri të skuadrës. 33-vjeçari, i lindur në Bavari, do të lërë skuadrën e tij aktuale, Leipzig, në 1 korrik të këtij viti, pasi ka nënshkruar një kontratë 5-vjeçare me kampionët e Gjermanisë, deri në 30 qershor 2026.

Në njoftimin zyrtar, Bayern thotë se ka rënë dakord me kërkesën e bërë nga trajneri aktual, Hansi Flick, për të mbyllur kontratën me Bayern më 30 qershor 2021, dy vite para afatit zyrtar.

Flick e bëri këtë kërkesë pas eliminimit nga Champions League në fazën çerekfinale. Vitin e kaluar, nën drejtimin e tij, Bayern fitoi turneun europian, por këtë sezon u eliminua para kohe edhe nga Kupa e Gjermanisë, ndërsa është 3 pikë larg fitores së titullit kampion.

Nuk bëhet e ditur shuma që do të derdhë Bayerni në arkat e Leipzig por me siguri do të jetë një shifër e përafërt me 20 milionë euro. Nagelsmann është një nga trajnerët që ka firmosur një prej kontratave më afatgjata në historinë e Bayern Munich. Kontratë 5-vjeçare kjo edhe për faktin se ai është në një moshë shumë të re. Me Nagelsmann, Bayerni do të synojë të vazhdojë rrugën e sukseseve të lënë përgjysmë nga Hansi Flick i cili e mbylli dy vite para se t’i skadonte kontrata aventurën e tij me kampionët e Gjermanisë, ndërsa e ardhmja e tij me shumë gjasa do të jetë në krye të përfaqësueses gjermane.