Politika Rama: Cilat janë dy ndasitë e mëdha mes shqiptarëve. Është koha për...

Rama: Cilat janë dy ndasitë e mëdha mes shqiptarëve. Është koha për bashkim

Në fjalën e tij të fitores, kryeministri Edi Rama ftoi Partinë Demokratike që të bashkohen dhe të dalin përtej dy ndasive historike që kanë vazhduar ndër vite ta ndajnë të rrëshqitshme tokën nën këmbët e Shqipërisë dhe duke e penguar atë që të ecë përpara.

“Mandati i tretë është mandati më i fortë që një shumicë qeverisëse ka pasur ndonjëherë që prej vitit 1992. Ne do ta realizojmë këtë megaprojekt me të gjithë energjinë e jashtëzakonshme që shumica dërrmuese e zgjedhësve sapo na e ka thënë. Por nëse arrijmë t’i bashkojmë forcat me PD, për të gjitha qëllimet dhe objektive që nuk na ndajnë, por na bashkojnë kjo dekadë do të hyjë në histori jo vetëm për çfarë bëmë për Shqipërinë, por edhe çfarë nuk vazhduam të bëjmë, kundër interesit të saj dhe qytetarëve të këtij vendi pa dallim. Dy ndasitë e mëdha që vazhdojnë të na ndajnë të rrëshqitshme tokën nën këmbët e Shqipërisë, që ka ecur shumë përpara, por kurrsesi aq sa mund të kishte ecur, pa këto dy ndasi, janë tmerrësisht të vështira për t’u kapërcyer.

Por po kaq e tmerrshme është që të mos përpiqemi për t’i kapërcyer dhe t’ia lemë peshqesh gjeneratës tjetër, bashkë me stafetën tonë. E para është ndasia e hapur qysh në luftën botërore, komunistë dhe nacionalistë. E thelluar si s’ka më zi gjatë dekadave të diktaturës enveriste dhe e trashëguar prej komunizmit si mallkim që na ndjek nga pas, duke i përçarë shqiptarët, deri në fshatin më të largët përmes një thike. Në radhë të parë janë shqiptarë. Unë kam lindur shqiptar nuk kam lindur socialist. Dhe për mua demokratët në radhë të parë janë shqiptarë, pastaj janë dhe demokratë. Prandaj nuk ka ku rri, e keqja e madhe që flasim shqip me njëri tjetrin sikur jemi dy palë armiqsh, të dalë nga i njëjti bark dhe të kujtohemi për përkatësinë e njëjtë, nga ai bark vetëm kur ndonjëri nga ne ka vdekur.

E pra ndasia e tmerrshme, mallkimi i të shkuarës nuk na kanë lejuar kurrë, tash 30 vjet që në skenën e politikë t’i kemi të shumta, në tërë ato ditë  të panumërta që kemi ndarë së bashku. Ato ditë kur jemi së pari njerëz e shqiptar, në të gjallë, veç në ditët e zeza kemi mundur të harrojmë për një çast se nëna nuk n ka bërë me fanellë partie.

Ndasia tjetër është ajo që duket edhe sot në hartën elektorale. Mjafton të dallosh ngjyrat. Një ndasi e kuptueshme për Shqipërinë e kahershme të principatave dhe lëngatave. E mbuluar si dielli nga shosha në Shqipërinë komuniste dhe e ushqyer pabesisht, poshtërsisht, politikisht në Shqipërinë e re demokratike, krejt pavarësisht nga fakti se kur nuk jemi socialistë apo demokratë, por shqiptarë e thërrasim të gjithë me krenari atë vargun “Shqipëria është një, nga jugu në veri.

Kjo është fiks dita për t’ia shtrirë dorën PD duke ia bërë të qartë për të gjithë, që mandatin e tretë dua t’ia kushtojmë bashkimit, jo ndasive.”