Nga Sofia Bettiza, BBC
Infermierët në të gjithë globin kanë qenë thelbësorë në luftën kundër Covid-19, por ka qenë një punë që ka shkaktuar dëme të mëdha fizike edhe mendore. Në asnjë vend tjetër të botës, kjo gjë nuk ka qenë më e qartë se në Itali, vendi i parë në Europë që u prek më shumë nga virusi në vitin 2020 – dhe një nga të parët që vendosi një bllokim kombëtar.
Në Ditën Ndërkombëtare të Infermierëve, punonjësit e kujdesit shëndetësor në Itali kanë shpjeguar për BBC se si arritën të përballonin traumën e vitit të kaluar.
“Asnjëherë nuk kam menduar se jeta ime do të rikthehet në normalitet”, tha Paolo Miranda, një infermier i kujdesit intensiv në Kremona, i cili vitin e kaluar vendosi të dokumentonte situatën e zymtë brenda njësisë së tij duke bërë fotografi.
Në foto shfaqeshin kolegët e tij pas valës së parë – ndërsa pandemia u bë “normaliteti i ri”.
“Unë nuk do ta harroj kurrë atë që na ndodhi. Së shpejti do të bëhet histori”, tha ai për BBC në atë kohë. “Edhe pse emergjenca po mbahet në kontroll, ne ndihemi të rrethuar nga errësira.
”Kemi shumë plagë. Çdo gjë që kemi parë, mbetet në memorien tonë”
Një ndryshim i madh ka ndodhur për Paolo që nga ajo kohë – ai është bërë baba.
“Ne e quajtëm vajzën tonë Vittoria, që do të thotë fitore. Sjellja në jete e një fëmijë në një botë pandemike na dha shumë shpresë.”
Paolo, i cili thotë se ka çrregullim të stresit post-traumatik (PTSD) nga ngjarjet e vitit të kaluar, thotë se shumë kolegë të tij gjithashtu kanë vendosur të bëjnë fëmijë – në kundërshtim me të gjitha viktimat dhe vuajtjet që u është dashur të durojnë.
“Vajza ime po më ndihmon të shërohem. Pasi vij në shtëpi dhe shoh vajzën duke buzëqeshur … është një ndjesi e mrekullueshme.”
Në shkurt të vitit 2020, Italia u bë qendra globale e pandemisë dhe një paralajmërim për botën se çfarë ndodh kur një sistem i kujdesit shëndetësor në një nga vendet më të pasura të botës është në kaos.
Në atë kohë, Martina Benedetti, një infermiere e kujdesit intensiv në Toskanë, tha për BBC se nuk ishte më e sigurt nëse dëshironte të vazhdonte profesionin e saj. Por ajo ka ndryshuar mendim, duke e përshkruar punën e saj si “të mrekullueshme”, por paralajmëroi se kjo nuk është punë që mund ta bëjnë të gjithë.
“Ndihem sikur jam plakur 10 vite. Dikur isha një person me zemër të lehtë … ai person tashmë nuk ekziston më.”
Të shkruarit e ndihmoi atë të përballonte situatën. Pas një turni të gjatë, ajo shkonte në shtëpi dhe para gjumit shkruante në një ditar të gjitha çfarë kishte kaluar, të cilat më vonë i ktheu në një libër online.
Për Martinën ka qenë veçanërisht e vështirë të trajtonte pacientë që mohuan ekzistencën e Covid – disa prej të cilëve u shtruan në njësitë e kujdesit intensiv.
“Unë kam trajtuar njerëzit që po nxisnin të tjerët në mediat sociale për të mos mbajtur maska, dhe i quanin infermieret gënjeshtarë.”
Por Martina tha se në disa raste, ajo arriti t’u ndryshonte mendje.
“Zbulova një forcë që nuk e dija se e kisha”
Një studim i kryer mbi infermierët italianë nga qendra kërkimore EngageMinds HUB zbuloi se ata që trajtuan pacientët e tyre duke i ndihmuar nga ana emocionale shfaqën nivele më të ulëta stresit post-traumatik.
“Por, koha për t’u shpjeguar gjërat pacientëve të shtruar, ndarja e përgjegjësive, gëzimi dhe dhimbja, do të thotë se ka një ndjenjë të madhe njerëzore dhe në fund të fundit kjo e bën punën më të lehtë.”
90% e atyre që ishin të përfshirë në studim kurrë nuk e kishin menduar të linin punën e tyre ose të kërkonin një transferim gjatë pandemisë – në vend të kësaj ata ndjenë krenari të jashtëzakonshme.
“Pandemia më dha konfirmimin se jam në punën e duhur. Zbulova një forcë që nuk e dija se kisha. Unë pashë njerëz që vdisnin, qava, por gjithashtu shpëtova jetën e njerëzve”.
Elisa thotë se kur u kthye në shtëpi nga puna dhe nuk mundi të flinte, gatimi e ndihmoi. Ajo gatuante tiramisu dhe i ndante me kolegët e saj. Këshilla e saj më e madhe për punonjësit e kujdesit shëndetësor është të mos ndihen fajtorë për jetët që nuk mund të shpëtonin.
“Është e pamundur të shpëtosh të gjithë njerëzit e sëmurë gjatë një pandemie”.
Për Martinën, ishte e vështirë të fliste me miqtë dhe familjen sepse ata nuk e kuptonin plotësisht situatën në të cilën ajo ndodhej. Ajo tha se ishin kolegët që e ndihmuan të kalonte situatën e vështirë në të cilën ndodhej.
“Këshilla ime më e mirë për infermierët është të punojnë si një ekip”, tha ajo.
Të gjesh paqen përsëri
Si rezultat i pandemisë, Dr Barello është i shqetësuar se shumë infermierë dhe mjekë do të vuajnë nga çrregullimet e stresit post-traumatik, i cili mund të prekë dikë muaj apo edhe vite më vonë.
“Kur më në fund keni kohë për të reflektuar për atë që ka ndodhur, dhe njerëzit po përpiqen ti rikthehen jetës së tyre, ju ndiheni më të rraskapitur dhe të pikëlluar emocionalisht”.
Ajo thotë se spitalet duhet t’i ofrojnë stafit mbështetjen psikologjike të nevojshme dhe t’i shtyjnë ata të kujdesen për veten e tyre – përfshirë inkurajimin për të vazhduar me jetën e tyre private, e cila është zhdukur plotësisht për një vit e gjysmë.
Kjo mund të përfshijë rifillimin e hobeve, të kalosh kohë me familjen dhe duke bërë sport – veçanërisht në ambiente të hapura. Martina synon ta bëjë pikërisht këtë gjë.
“Unë jam duke planifikuar një udhëtim në mal me burrin tim – diku në mes të natyrës, të izoluar, ku më në fund mund të gjej qetësinë që më ka munguar”.