Shantazhe dhe kërcënime me jetë nëpërmjet rrjeteve sociale pas disa daljeve publike, ndaj deputetit të pavarur Ligoraq Karamelo, i cili i ka denoncuar ato në polici.
Karamelo pretenton se shantazhet cënojnë jo vetëm bashkëjetesën e pakicave kombëtare por prishin edhe harmoninë që ka Korça si qytet.
“Sapo kam dorëzuar një kallëzim në komisariatin e Korçës për shpifjet, kërcënimet, shantazhet që më kanë bërë pas daljeve publike. Para 1 jave në Korçë, OSBE organizoi një takim për pakicat kombëtare dhe rolin e medias së shkruar, gjithashtu dhe pas një emisioni në një nga tv shqiptare ku u diskutuan problematikat e një shkrimi të botuar në një gazetë greke.
Natyrisht që Korça nuk mund të pranojë këtë lloj gjuhe, Korça ka dëshmuar qytetari, mirëkuptim, bashkëjetesë. Këto janë sjellje të papranueshme që cënojnë jo vetëm bashkëjetesën po prishin harmoninë që Korça ka.
Kërcënimet kanë qënë të ndryshme, shumica janë të panjohura, është detyrë e prokurorisë t’i zbulojë. Jam kërcënuar nëpërmjet rrjeteve sociale gjithashtu kërcënime kam patur edhe në YouTube aty ku kam qënë i ftuar për të diskutuar. Këto janë të ulta, kërcënimet lidhen me daljet e mija.
Kërcënimet janë me jetë, kërcënohet familja ime, bashkëjetesa e komunitetit që unë përfaqësoj”, thotë Karamelo.