Zv. Ndihmës Sekretari për Evropën dhe Euroazinë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Philip T. Reeker do të vizitojë nesër Shqipërinë.
Gjatë vizitës në Tiranë më 30 qershor, Reeker do të takohet me kryeministrin Edi Rama si dhe zyrtarë të tjerë për të diskutuar mbi marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe problemet që shqetësojnë të dy vendet.
Zyra për mediat e kryeministrit njofton se takimi mes Ramës dhe Reeker do të mbahet në Kryeministri rreth orës 10:30, ndërsa njoftohet se nuk do të ketë konferencë për shtyp në përfundim.
Zyrtari i DASH ndodhet aktualisht në një tur vizitash në Evropë ku pas vizitës në Tiranë do të udhëtojë për në Ohër.
Reeker do të marrë pjesë në konferencën “Rruga e Prespës”, ku do të theksohet mbështetja që SHBA vazhdojnë të japin për dialogun dhe bashkëpunimin për stabilitet dhe zhvillim të mëtejshëm në rajon.