Aktualitet Nga prokurori te shefi i sektorit të trafiqeve, kush janë zyrtarët e...

Nga prokurori te shefi i sektorit të trafiqeve, kush janë zyrtarët e ndaluar nga operacioni i SPAK dhe i italianëve

Prokurori Maksim Sota

Në kuadër të operacionit të zhvilluar nga SPAK dhe autoritetet italiane u bë ndalimi edhe i një prokurori, si dhe i disa zyrtarëve të tjerë në Shqipëri, mes 38 të arrestuarve në total.

Mësohet se në kuadër të këtij operacioni është ndaluar edhe prokurori i Vlorës, Maksim Sota, për shpërdorim detyre ndaj të cilit gjykata ka dhënë më pas masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Ndërkohë, është ndaluar edhe ish-oficeri i policisë në Vlorë, Festim Lelaj, i proceduar në kohën kur në detyrë ishte ministër i Brendshëm, Saimir Tahiri. Po ashtu, mësohet se është ndaluar edhe shefi i sektorit të trafiqeve në drejtorinë e përgjithshme, Ilir Balla, shpërdorim detyre, ndërsa edhe ndaj tij është dhënë masa “arrest shtëpie”. Një tjetër zyrtar i ndaluar është edhe Saimir Kurti, drejtor i zyrës së punës në Kavajë.

Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për nënkomisarin e policisë Fieri, Festim Lelaj, janë shtrirë edhe për një ngarkesë tjetër droge të transportuar me kamion drejt Italisë gjatë vitit 2014. Në atë kohë, Lelaj ishte efektiv në Pikën e Kalimit Kufitar të Vlorës dhe sipas organit të akuzës, dyshohet se lëndën narkotike rreth 350 kg kanabis e ka kaluar në bashkëpunim edhe me shtetasit Aurel Laze dhe Skënder Siqeca nga porti i qytetit bregdetar.