Aktualitet Miliona euro pasuri dhe zyrtarë të arrestuar, kreu i SPAK jep detaje...

Miliona euro pasuri dhe zyrtarë të arrestuar, kreu i SPAK jep detaje për operacionin “Shpirti”

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben Kraja ishte i pranishëm në një konferencë të përbashkët për shtyp me autoritetet italiane në kuadër të operacionit “Shpirti”.

Pasi falënderoi autoritetet italiane për bashkëpunimin e ngushtë, Arben Kraja informoi se gjatë operacionit u ekzekutuan 28 masa sigurie mes të cilëve dhe zyrtarë të lartë të prokurorisë dhe policisë.

Kraja gjithashtu shtoi se u sekuestruan dhe pasuri me vlerë miliona euro.

“Organizojmë këtë konferencë në kuadër të finalizimit të një operacioni të suksesshëm. Është një skuadër e përbashkët e krijuar prej një viti e gjysmë, kryen hetime të përbashkëta, me shkëmbim informacioni të detajuar dhe të menjëhershëm, e rëndësishëm në grumbullimin e provave dhe në arritjen e konkluzioneve konkrete, ekzekutimi i 28 masave të sigurisë sot të dhënë nga GJKKO. Një moment i rëndësishëm është hetimi i gjithanshëm që është kryer. Është evidentuar dhe provuar i gjithë zinxhiri nga kultivimi dhe prodhimi deri në transportimin dhe tranzitimin në Itali të lëndëve narkotike. Është evidentuar dhe provuar përfshirja e zyrtarëve të ndryshëm publik në këtë lloj aktiviteti duke favorizuar aktivitetin kriminal.

Bëhet fjalë për  prokurorë, punonjës policie, administratorë të pushtetit lokal.

Janë evidentuar dhe janë sekuestruar pasuri të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme në aktivitete tregtare në vlerë miliona Euro. Gjithashtu një tregues i rëndësishëm që duhet ta vlerësojmë është përdorimi i bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Kanë qenë 4 bashkëpunëtorë të drejtësisë që kanë dhënë kontributin në gjithë këtë hetim. Kemi ngritur edhe akuza për pastrim të produkteve të veprës penale. Para një viti ne ishim në konferencë në Romë, ku sqaruam fazën e parë të këtij operacioni. Në takim kam theksuar një fjalë se do i shkojmë në fund hetimit për të zbuluar se kushdo që është i përfshirë në këtë aktivitet do të përgjigjet penalisht, përfshirë edhe zyrtarë publikë. Jemi në situatë ku e kemi mbajtur premtimin dhe do vazhdojmë në të njëjtën rrugë”, tha Arben Kraja.

Ajo që dihet më tani është arrestimi i prokurorit të Vlorës, Maksim Sota. Në pranga kanë rënë edhe 5 punonjës policie. Mes tyre është edhe ish-nëndrejtori i Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla, si dhe Festim Lelaj, një ish-oficer policie i arrestuar edhe më herët për trafikim lëndësh narkotike në drejtim të Italisë.

Prokurori i Antimafias Italiane: Kemi punuar si një skuadër e përbashkët

Prokurori Kombëtar i Antimafias Italiane, Cafiero de Raho, vlerësoi punën e SPAK, në një mbledhje online të zhvilluar me drejtuesit më të lartë të autoriteteve shqiptare, pas operacionit kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave.

De Raho tha se hetuesit e SPAK dhe të Prokurorisë së Barit kanë punuar si një skuadër e përbashkët në këtë operacion, si rezultat i të cilit janë arrestuar 38 persona, 28 prej të cilëve vetëm ditën e sotme. “Prej kohësh jemi të vetëdijshëm që mund të punojmë bashkë, të dy zyrat i lidh një marrëdhënie intensive që bën të mundur arritjen e rezultateve të jashtëzakonshme. Operacioni i sotëm tregon që, bashkë, arrijmë të identifikojmë edhe pabesinë e disa pjesëve të institucioneve, mbi të cilat vendet tona duhet të tregojnë vëmendje të madhe”, tha De Raho.

“Bashkëpunimi ynë, Shqipëri-Itali, lejon përforcimin e strukturave për të luftuar krimin e organizuar. Kjo është thelbësore që njerëzit të kenë besim te këto struktura. Kjo na bën që ta shohim të ardhmen me më shumë siguri. Organizatat kriminale në Shqipëri dhe Itali do të gjejnë një mur të pakalueshëm, që do t’i pengojë të zhvillojnë aktivitetin e tyre”, shtoi ai.