Zjarri në faqen e malit mbi tunelin e Kalimashit është shuar dhe situata po monitorohet nga forcat zjarrfikëse të Bashkisë Kukës dhe të tunelit.
Aktualisht, ka nisur operacioni për shuarjen e zjarreve te Laku i Thive, ku krahas tokës po punohet edhe nga ajri me helikopter.
Në ndihmë të forcave, janë edhe 34 zjarrfikës të Kosovës me 9 automjete për terren malor dhe mjete autocisterne për mbushjen me ujë.
Meta niset drejt Kalimashit, Basha: Mirënjohje Kosovës për ndihmën vëllazërore
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, presidenti Ilir Meta ka bërë të ditur se tuneli i Kalimashit është plotësisht i kalueshëm edhe pse ka ende vatra aktive zjarri në malin e Rrunjës.
“Falenderim për angazhimin operacional të strukturave zjarrfikëse të Kukësit dhe të Kosovës. Ndërsa vazhdon puna për të mbrojtur tunelin, sot në orët e para të mëngjesit pritet një operacion me më shumë forca për të fikur zjarret në të gjithë malin e Rrunjës, për të mbrojtur jetët njerëzore dhe banesat e Shëmrisë”, shkruan Meta, ndërsa mësohet se ai është nisur mëngjesin e sotëm drejt Kalimashit për të parë nga afër situatën atje.
Ndërkohë, me anë të një postimi në rrjetet sociale ka reaguar edhe Lulzim Basha, kreu demokrat, i cili falënderon forcat nga Kosova që po punojnë me ato shqiptare për të vënë nën kontroll zjarret.
“Mirënjohje Kosovës për ndihmën vëllazërore në betejën me zjarret! Bashkëpunimi me forcat ushtarake dhe civile të Shqipërisë, që prej ditësh po sakrifikojnë me vetëmohim e në kushtet më të rënda, është jetik për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve dhe të pasurive natyrore. Faleminderit Kosovë për ndihmën dhe solidaritetin që nuk e ke kursyer kurrë!”, shkruan Basha.