Kryesore Përplasja e parë Rama-Basha në Kuvend

Përplasja e parë Rama-Basha në Kuvend

Kur kryeministri Edi Rama po e mbyllte fjalën e tij në Kuvend me shëndetësinë dhe përballjen e vendit me Covid-19, ka hasur në përballjen e parë parlamentare me kreun e demokratëve, Lulzim Basha.

Nga vendi ku ishte ulur, Basha i kujtoi kryeministrit se në të vërtetë janë 16 mijë të vdekur në vend nga koronavirusi, duke e përsëritur këtë herë pas here.

“Janë 16 mijë të vdekur”, tha Basha, ndërkohë që kreu i qeverisë deklaronte se, vendi nuk u gjunjëzua përballë pandemisë.

“Nëse virusi që gjunjëzoi botën do ta kishte gjetur shëndetësinë, urgjencën e spitalet, trupën e demotivuar dhe drejtuesit pa kokë të sistemit shëndetësor siç e gjetëm ne dhe pa platformën e-albania, përfytyroni karantinë të përgjithshme pa pasur mundësi të marrësh leje pa dalë nga shtëpia, këtu do të ishte bërë një thagmë që do ta bënte Italinë kulmin e kapjes prej fyti, dukej si shumë më shumë se gjysma e së keqes, prandaj ky do të jetë përgjithmonë një motiv krenarie për mua dhe këtë shumicë qeverisëse që Shqipëria nuk u gjunjëzua në kohën e zezë të pandemisë, dhe përballoi veç pandemisë dhe aleancën tuaj me virusin, por qëndroi fort falë mjekëve e infermierëve dhe infrastrukturës së gatshme dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve të klasit ndërkombëtar dhe platformës e-albania që garantoi karantinë të disiplinuar falë fillimit të shpejtë të vaksinimit dhe fushatës së vaksinimit”, u shpreh Rama.

Replikat:

Basha: Fol për të vdekurit, ke 16.000 të vdekur.

Rama: Meqë po ndërhyni, përballoi dhe aleancën tuaj me virusin, i dhatë një shtytje të lehtë, po nejse.

Basha: 16 mijë vdekje

Rama: Falë fillimit të shpejtë të vaksinimit, ku shumica e rajonit mbeti si peshku pa ujë, falë punës këmbëngulëse, pa orar dhe pastaj kaluan muajt, të gjitha institucionet bënë detyrën e tyre

Deklarata nga vendi e Bashës detyroi edhe kryeparlamentaren Nikolla që të ndërhynte duke kërkuar qetësi.