Paga e Messit te Paris Saint Germain? Tashmë nuk është më e panjohur, megjithatë prestigjiozja L’Équipe në Francë ka zbuluar mënyrën se si legjenda argjentinase do përfitojë të ardhurat e tij gjatë qëndrimit në klubin parisien.
Plot 110 milionë euro vuri në dispozicion presidenti Al Khelaifi për të lehtësuar dhimbjen dhe lotët e Messi-t pas largimit nga Barça ku qëndroi për 17 vjet.
Këtë shumë, gjashtë herë fituesi i Topit të Artë do ta përfitojë në formë të tillë, ku në vitin e parë do të paguhet me 30 milionë euro, ndërsa sezonin e dytë dhe të tretë, 34-vjeçari do të paguhet me nga 40 milionë euro.
Kontrata e firmosur e mban sulmuesin të lidhur me Parisin deri në vitin 2024. Sikundër është bërë me dije edhe nga vetë klubi, Leo Messi do të jetë futbollisti i parë në historinë, në nivelet më të larta të futbollit, që do të paguhet nëpërmjet kriptovalutave.
Nga 30 milionë eurot neto në sezon, 1 milion euro për Messin do të vijë nëpërmjet PSG Fan Token, monedhën e krijuar nga fondacioni Socios, vlera e së cilës rritet apo zvogëlohet në varësi të performancës së skuadrës.