Partia Demokratike depozitoi në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë në lidhje me komisionin hetimor për çështjen “Becchetti” që mazhoranca nuk pranoi ta votojë.
Sipas deputetes Grida Duma, refuzimi i socialistëve vjen për shkak se kryeministri është fajtor për dëmin prej 120 milionë eurosh me të cilin Shqipëria është dënuar në arbitrazh.
“Fitorja e parë e Partisë Demokratike është fakti që ata treguan publikisht që nuk miratojnë dot një komision hetimor sepse janë të qartë që është një çështje e humbur. Në dy dekada është traditë normale që kjo nuk ka nevojë për miratim, komisionet hetimore mblidhen me ¼ e firmave të deputetëve. Rama ka frikë te hetojë sepse e di që është përgjegjës për 120 milionë euro, me të cilat është ndëshkuar Shqipëria për shkak të keqqeverisjes së Ramës”, deklaroi deputetja demokrate.
Çështja Becchetti
Sipërmarrësi italian Francesco Becchetti kishte një koncesion që nga viti 1997 për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit. Ai gjithashtu themeloi kanalin televiz Agon Channel. Në vitin 2009, prokuroria sekuestroi të gjitha pasuritë e Becchettit në Shqipëri, përfshi Agon Channel dhe hapi hetime për pastrim parash.
Qeveria i hoqi Becchetti edhe koncesionin e Kalivaçit për mosplotësim të kontratës së koncesionit.
Por, biznesmeni Becchetti i çoi të gjitha çështjet në arbitrazh. Në lidhje me sekuestrimin e Agon Channel, Becchetti e paditi Shqipërinë për sulm politik ndaj investimeve të huaja. Arbitrazhi i dha të drejtë biznesmenit, duke i cilësuar veprimet e shtetit shqiptar të parregullta dhe me ndikim politik.
Si rezultat Becchettit dhe investitorëve të tjerë të Agon Channel shteti shqiptar duhet t’u paguajë rreth 109 milionë euro.