Më shumë se 100 udhëheqës botërorë angazhohen t’i japin fund shpyllëzimit deri në vitin 2030, në atë që konsiderohet si marrëveshja e parë e rëndësishme e samitit të klimës në Glasgou.
Mes firmëtarëve të “Deklaratës së Glasgout për pyjet dhe Tokën” janë Xi Jinping, Vladimir Putin dhe presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, nën udhëheqjen e të cilit është intensifikuar shpyllëzimi i Amazonës.
Për përmbushjen e synimit, do të përdoren 19,2 miliardë dollarë, fonde publike dhe private. Kryeministri i Britanisë së Madhe dhe organizatori Boris Johnson do ta cilësojë ujdinë që do të firmoset të martën, si një marrëveshje historike për mbrojtjen dhe ripërtëritjen e pyjeve të tokës.
“Këto ekosisteme të mëdha të mbushura me ujë, këto katedrale të natyrës, janë mushkëritë e planetit tonë”, deklaroi Johnson.
“Pyjet mbështesin komunitetet, mjetet e jetesës dhe furnizimet ushqimore dhe thithin karbonin që ne hedhim në atmosferë. Ato janë thelbësore për vetë mbijetesën tonë”, shtoi kryeministri britanik.
Ekspertët e mirëpritën vendimin, por paralajmëruan se një ujdi e ngjashme në vitin 2014, kishte dështuar të ngadalësonte shpyllëzimin dhe se këtë herë premtimet duhet të mbahen.
Samiti COP26 në Glasgou vjen në një kohë kur bota po përballet me një seri katastrofash natyrore, si përmbytje dhe zjarre, të shkaktuara nga ndryshimet e klimës.