Gjenerali Wesley Clark ka rrëfyer detaje nga lufta e Kosovës, kur ai udhëhoqi NATO-n në bombardimet ndaj Serbisë. Clark ka treguar një episod kur ushtria ruse u fut nga Bosnja në aeroportin e Prishtinës. Ai u shpreh se beson se ky operacion është drejtuar nga Vladimir Putin, por ky i fundit nuk e ka pranuar kurrë publikisht këtë.
Clark ka treguar se çfarë ka biseduar me gjeneralë të tjerë të ushtrisë. Ai u shpreh se i ka thënë gjeneralit Michael Jackson që të mendonte për një bllokim të autostradës që të mos kalonin trupat ruse, por ky i fundit ka qenë i rraskapit dhe ka pasur frikë mos niste Lufta e Tretë Botërore.
Megjithatë sipas Clark, ushtria ruse gaboi dhe u rrethuan në fushën ajrore. Ai u shpreh se ka pasur bisedime për të qëlluar mbi forcat ruse, dhe për këtë ka folur direkt me Shtëpinë e Bardhë. Clark ka rrëfyer se kur po bëheshin gati për një telekonferencë për të vendosur nëse duhet të qëllonin ose jo, rusët vendosën që të mos futen.
Blendi Fevziu: Ai ishte i rrethuar në kohën kur rusët i thanë “Ndalo tani!”. U mbajt një takim me të ku i thanë se rusët nuk të mbështesin më dhe duhet të gjesh një zgjidhje. Ç’ndodhi me ushtrinë ruse që u fut nga Bosnja në aeroportin e Prishtinës?
Wesley Clark: Po, ishte një operacion sekret rus që besoj se drejtohej nga Vladimir Putini. Ai në fakt nuk e ka pranuar kurrë publikisht këtë. Por po të kishte pasur sukses, do t’i merrte meritat. Ai nxori nga Bosnja trupa ruse dhe tanke. Dhe pasi kishin ndaluar luftimet dhe rezoluta e Këshillit të Sigurimit autorizoi NATO-n të futej, Rusia e hodhi poshtë rezolutën dhe mori autostradën, përmes Beogradit, drejt aeroportit të Prishtinës. Në 1:00 të mëngjesit arritën në aeroport. NATO-ja erdhi pasditen tjetër dhe pati një farë ngërçi. Por pas kësaj ishin tre regjimente ruse vigjilente që do të vinin për përforcime për të marrë Mitrovicën, pushtuar Prishtinën. Nuk e dinim. Por e dinim ama se duhet të ishim gati, nëse ata do të vinin.
Është e vërtetë që i keni dhënë urdhër Mike Jacksonit për t’i kthyer mbrapsht?
Michael Jackson i thashë të mendonte për një bllokim të autostradës, por ai tha se nuk mund ta bënte. Michael Jackson ishte i rraskapitur, kishte punuar ditë e natë, ishte prekur emocionalisht dhe kishte frikë se mos niste Lufta e Tretë Botërore. Por e vërteta është se rusët u gabuan, i rrethuam në fushën ajrore dhe përfundimisht ne duhej vetëm t’i mbanim nën kontroll dhe të ndalonim përforcimet. Përforcimet i ndaloi guximi i Bullgarisë dhe i Rumanisë. U thanë forcave ajrore ruse jo, s’mund të kaloni mbi vendet tona. Atë të diel pasdite, kur inteligjenca vazhdonte të tregonte rusët duke u përgatitur për të hyrë dhe sigurisht, merreshin vendime në Rusi, komandanti im i forcave ajrore më merr në telefon dhe më thotë: Shef, doni t’i qëllojmë ato forca ruse, nëse cenojnë hapësirën ajrore? Ai ishte i aftë ta bënte? Po, por ishte një çështje politike tepër e nxehtë dhe morëm Uashingtonin në telefon. Po bëheshim gati për një telekonferencë, për të vendosur a duhet të qëllonim mbi ato forca ruse apo jo, por rusët vendosën pastaj të mos futen.