27-vjeçari që u denoncua nga ish-bashkëshortja e tij për dhunën e ushtruar ndaj vajzës 6-vjeçare do të qëndrojë në burg.
Ky është vendimi i gjykatës për 27-vjeçarin me R.K., i cili u arrestua pak ditë më parë pas denoncimit të ish-bashkëshortes.
Ai u denoncua në 28 Tetor, pasi e ëma e vajzës kishte parë shenja dhune në trupin e 6-vjeçares. Sipas dosjes hetimore rezulton se vajza është goditur nga babai i saj me thupër dhe është kafshuar në pjesë të ndryshme të trupit.
Një grup specialistësh do të kryejë akt-ekspertimet për të parë nëse me të miturën është abuzuar seksualisht. Prej disa ditësh ajo ndodhet në Spitalin e Traumës, ku ka pasur lëndime në organet e brendshme. Nga dëshmitë e marra, rezulton se vajza ka shfaqur shqetësime në shkollë deri në të vjella.
Në dëshminë e saj para hetuesve, nëna e vajzës ka treguar se e ka parë babain kur e ka goditur dhe kafshuar vajzën, por thotë se ka menduar se e bënte nga malli. Prindërit e vajzës prej vitesh ishin të divorcuar dhe vetëm 1 muaj më parë kishin nisur sërish bashkëjetesën.