Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë reagimin e parë për Kuvendin e thërritur nga ish kryeministri Sali Berisha, pas mbledhjes së Kryesisë që zgjati për disa orë, duke thënë se nuk njeh asnjë vendim të tij dhe se ai dhe organet e tjera të partisë janë zyrtarisht në detyrë.
Pasi e quajti Kuvendi e “Foltores” si një manifestim personal të Berishës kundër SHBA, Basha u shpreh se Kryesia vendosi të mbledhë ditën e nesërme të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ku do të merren masa ndaj disa prej zyrtarëve më të lartë.
Kështu në mbledhjen e nesërme Kryesia i ka propozuar Këshillit shkarkimin e kreut të saj, Edi Paloka dhe disa anëtarëve të tjerë, si dhe kryetarët e disa degëve.
“Sot duhet të ishte një ditë festë, por kjo ditëlindje është e thyer. Sot nuk është një ditë e mirë për PD dhe as për demokracinë. 31 vjet pas themelimit u bëmë dëshmitar të një manifestimi personal të Berishës kundër SHBA. I bëjmë të ditur çdo demokrati se kjo ishte përpjekja e fundit e dëshpëruar e tij për të marrë peng PD dhe për ta kthyer në bunker të interesave personale. Asnjë deklarim i dalë nga ky tubim nuk ka asnjë lidhje me PD dhe institucionet e zgjedhura. Në përgjigje, me falsifikimet dhe përdorimin e simboleve Kryesia ka vendosur thirrjen e Mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar nesër në orën 15:00 me këtë rend dite:
1- Diskutimi dhe miratimi i një Rezolute lidhur me situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga veprimtaria antistatutore që dëmton rëndë interesat politike dhe elektorale të PD.
Miratimin e propozimit të Kryesisë për shkarkimin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar dhe disa anëtarëve të Kryesisë për shkelje të rënda të Statutit të PD dhe vendimit të Kryesisë të datës 15 Nëntor.
Kryesia vendosi gjithashtu shkarkimin nga detyra të disa kryetarëve të degëve.
Kryesia ngarkoi Sekretariatin ekzekutiv të ndjekë të gjithë hapat për të vënë para përgjegjësisë ligjore dhe penale të gjithë personat përgjegjës për fallsfikimin dhe shpërdorimin e simboleve të institucioneve të Partisë Demokratike”, u shpreh Basha.
Ai tha se Kuvendi Kombëtar i PD do të mbahet më 18 Dhjetor, ku sipas tij demokratët do lenë pas pjesët e hidhura të së shkuarës dhe mbeturinat e komunizmit.
“Siguroj të gjithë demokratët që institucionet e PD duke nisur nga Këshilli, Kryesia, Kryetari vazhdojnë të jenë në krye të detyrës në përmbushje të statutit. Demokratët do të mblidhen në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga kryesia e partisë më 18 Dhjetor, ku do diskutojnë gjëra të rëndësishme për të ardhmen e tyre jo për hallin personal të Berishës. Në 18 Dhjetor PD, demokratët shqiptarë do lënë pas pjesët e hidhura të së shkuarës bashkë me mbeturinat e komunizmit dhe të korrupsionit, drejt ndryshimit që meriton çdo demokrat dhe çdo shqiptar”.