Britania e Madhe u bën thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të refuzojnë gjuhën e urrejtjes dhe të punojnë me komunitetin ndërkombëtar për ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon.
Komentet u bënë pas një takimi të shefes së diplomacisë britanike, Liz Truss me ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Në takim, morën pjesë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe ai evropian Miroslav Lajçak.
Në një njoftim të qeverisë britanike thuhet se takimi u mbajt në një periudhë kur “tensionet në rajon kanë arritur kulmin”, duke ju referuar deklaratave të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në Bosnjë dhe Hercegovinë se vendi përballet me mundësinë reale për rikthim në konflikt.
Me tej, thuhet se Londra mbështet aspiratat e Ballkanit Perëndimor për integrimet euro-atlantike, ndërsa theksohet se ripajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë thelbësore për përmbushjen e këtij synimi.
Sakaq, Lajçak deklaroi pas takimit se nuk ka alternativë ndaj integrimit të rajonit në BE.