Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, reagoi edhe njëherë në lidhje me skandalin e rrjedhjes së të dhënave për pagat e mbi 200 mijë të punësuarve në shtet dhe privat.
Alibeaj u shpreh se drejtësia duhet të reagojë me urgjencë për këtë kërcënim të drejtpërdrejtë për jetët e qytetarëve.
“Prokuroria ka për detyrë të bëjë transparencë mbi hetimet për publikimin e të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë. Kjo është një ngjarje e rëndë dhe përtej sekretit hetimor, shqiptarët kanë të drejtë të dinë se ç’po ndodh ndërkohë me këtë cenim të rëndë të të drejtave të tyre themelore, me pasoja të rënda për jetën private dhe profesionale të secilit prej të dëmtuarve.
Qeveria nuk mund t’i fshihet përgjegjësisë për këtë skandal të madh. Daljet butaforike dhe batutat e Edi Ramës nuk mund të lënë në harresë faktin që të dhënat sensitive të mbi 630 mijë shqiptarëve, janë sot në duart e bandave dhe kriminelëve.
Përgjegjësia bie dhe mbi SPAK, institucioni që duhet të kishte hetuar me seriozitet dhe deri me fund skandalin me të dhënat personale të qytetarëve që Partia Socialiste përdori nëpërmjet patronazhistëve për zgjedhjet e 25 prillit”, u shpreh Alibeaj.