Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, iu kundërpërgjigj akuzave të disa deputetëve të partisë se Basha ka bunkerizuar selinë e PD-së. Një grup deputetësh, mbërritën gjatë drekës në seli, por i gjetën të mbyllura dyert e selisë. Bardhi tha se ata bënë vetëm një show dhe se në seli po kryhen punime.
“Show mediatik që patë, para pak minutash, në shkallët e PD-së, tregon edhe një herë që për disa, show dhe tallja me demokratët ka zëvendësuar betejën me regjimin e Edi Ramës. Kemi konfirmuar edhe dje që në godinën e PD-së janë duke u kryer punime, ky është fakt i njohur publik. Nuk ka nevojë të vish në dyert e partisë për ta provuar. Në seli, po shtohen ambientet e punës se koha e llafeve ka mbaruar më 18 dhjetor”, tha Bardhi.
“Disa kanë betejë për karrige, ndërsa institucionet e partisë janë në betejë me regjimin e Ramës. Selia e PD-së ka qenë dhe do të jetë e hapur për çdo demokrat dhe do të jetë e mbyllur për çdo trafikant droge që ka qenë krah Berishës dhe mbështetësve të tij. Dhuna është e vetmja gjë që i ka mbetur pakicës në PD. Skenarët me akte dhune kanë për të dështuar dhe PD-ja që nga data 18 dhjetor është e fokusuar në betejën me regjimin e Ramës. Lajmi i mirë sot është që disa kolegë ishin të pashoqëruar nga persona të dënuar për trafik droge dhe akte dhune”.