Bota Çfarë po ndodh në Malin e Zi? Abazoviç kërkon mocion kundër qeverisë,...

Çfarë po ndodh në Malin e Zi? Abazoviç kërkon mocion kundër qeverisë, kryeministri e shkarkon

Zhvillime dramatike në politikën e Malit të Zi. Kryeministri Zdravko Krivokapiç, njoftoi se ka nisur procedurat për shkarkimin e Dritan Abazoviç nga posti i zëvendëskryeministrit.

Një kërkesë i është dorëzuar kuvendit më 19 janar, ku propozohet që në vend të Abazovic të emërohet ministri i Financave dhe Kujdesit Social, Millojko Spajiç.

Në letrën dërguar Kuvendit, Krivokapiç kërkoi që më 3 shkurt të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për shkarkimin e Abazoviç dhe emërimin e pasuesit te tij. Njoftimi erdhi vetëm pak orë pasi Lëvizja Qytetare Ura e zëvendëskryeministrit me origjinë shqiptare njoftoi se kishte dërguar në procedurë parlamentare mocionin e mosbesimit për qeverinë.

Nisma është nënshkruar nga “E zeza mbi të bardhë”, Lëvizja Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që janë pjesë e koalicionit aktual qeverisës si dhe nga një sërë partish opozitare, përfshirë atë të presidentit Milo Gjukanoviç.

Pas njoftimit për nismën për mocionit të mosbesimit, ministrat e Financave dhe Zhvillimit Ekonomik të Malit të Zi, Milojko Spajiç dhe Jakov Millatoviç kërkuan që Abazoviç të jepte dorëheqje nga posti i zëvendësministrit.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Aleksa Beçiç e cilësoi iniciativën si përpjekje për grusht shteti. Më 17 janar, Lëvizja Ura dhe lidhja e qytetarë CIVIS shpalosën propozimin e tyre për krijimin e një qeverie të pakicës si model për tejkalimin e krizës politike në Malin e Zi.

Partia e Gjukanoviçit ka thënë se do të përkrahë çdo nismë që çon në largimin e qeverisë së Krivokapiçit. Për shkarkimin e Qeverisë së Malit të Zi kërkohen votat e 41 deputetëve.

Me mbështetjen e partisë së Gjukanoviçit, që ka 30 deputetë në parlamentin malazez, Lëvizja Ura siguron numrin e mjaftueshëm të votave për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiç.