Sport Hetim ndaj Dukës, FSHF ironizon Bashkinë e Tiranës: Autogol mediatik

Hetim ndaj Dukës, FSHF ironizon Bashkinë e Tiranës: Autogol mediatik

Federata Shqiptare e Futbollit, me anë të një deklarate për mediat, reagoi për hetimin që Bashkia e Tiranës kërkon të nisë ndaj Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, “për shkeljet dhe korrupsionin 20-vjeçar”, sipas Bashkisë.

FSHF e konsideroi “qesharake” letrën e shpërndarë “nga Bashkia Tiranë në media për një hetim ndërkombëtar e galaktik ndaj Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit”.

“Në atë fletërrufe janë formuluar akuza delirante të denja për hetuesinë e kohës së diktaturës ku dhe drejtësia vepronte me urdhra politik. Kjo balonë tymuese e lëshuar ditën e sotme, një ditë para zgjedhjeve për Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë, është një kërcënim për anëtarët tanë dhe procesin zgjedhor që do të zhvillohet ditën e nesërme. Ne duam të garantojmë kandidatët, anëtarët tanë, si edhe të gjithë pretendentët për kandidat se ofrojmë dhe garantojmë të gjitha kushtet për një garë të ndershme, të pastër dhe mundësinë për të zgjedhur të lirë nga ndikimi politik dhe kriminal”, lexohet në reagim.

“Ne nuk hyjmë në të tilla diskutime qesharake sepse ne jemi institucioni që kujdeset për futbollin shqiptar dhe jo për marrëdhëniet me OKB-në apo NASA-n që ka kontaktuar krye-komunari për ta bërë hetimin të duket galaktik. Me cilin tagër Bashkia e Tiranës sillet si hetuesi e kohës së diktaturës ndërkohë që ajo ka për detyrë t’i shërbejë qytetarëve të këtij qyteti që po i betonizohet territori dhe po i zhduken fushat ku duhet të luajnë fëmijët? Autogoli mediatik i Bashkisë së Tiranës vërteton ndërhyrjen e dënueshme të saj për të prishur zgjedhjet, të denoncuar nga federata. Ne jemi të sigurt se komuniteti i futbollit në vend do ta konsiderojë në pozicion “jashtë loje” sulmin e Bashkisë së Tiranës ndaj lirisë së zgjedhjeve dhe se nuk do të intimidohet fare nga abuzimet mediatike të Kryetarit të Bashkisë Tiranë”, shtohet në reagimin e FSHF-së.